Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, deklaroi se projekti i realizuar pranë Saat Kullës nuk ka qenë thjesht asfaltim, por rindërtim i plotë i infrastrukturës, që nga themelet.
Sipas tij, janë vendosur 1,400 metra rrjet i ri i ujësjellësit, me lidhjen e çdo shtëpie dhe me hidrantë nëntokësorë në çdo rrugë. Është ndërtuar kanalizim i ri fekal, me lidhjen e të gjitha shtëpive, si dhe kanalizim i ri atmosferik me gryka të reja për mbledhjen dhe largimin e ujërave nga rrugët.
Në fazën përfundimtare, është larguar asfalti i vjetër dhe janë asfaltuar të gjitha rrugët në zonë.
“Pra, jo arnime dhe ndërhyrje sipërfaqësore. Por ujësjellës i ri. Kanalizim i ri. Drenazhim i ri. Asfalt i ri. Një investim i plotë, prej asaj që nuk shihet nën tokë, deri te rruga që shihet mbi të”, theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se ky është vetëm një nga projektet e radhës dhe se puna për përmirësimin e infrastrukturës në Çair do të vazhdojë.
“Vazhdojmë…”, përfundoi kryetari i Çairit.







