Mes mundësive dhe dëshirës për të studiuar: Sa kushton jeta e një studenti në Maqedoninë e Veriut?

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 tetor, Zhurnal.mk – Fillimi i vitit të ri akademik dhe nisja e jetës studentore për një student të vitit të parë duhet të jenë momente të rëndësishme, të shoqëruara me motivim dhe optimizëm. Megjithatë, për shumë studentë, realiteti financiar e ka bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të studimeve, shkruan faktor.mk.

Çmimet vazhdojnë të rriten dhe në fillim të çdo viti akademik studentët duhet të bëjnë llogaritjet se sa do t’u kushtojë qëndrimi dhe studimi në Shkup dhe nëse këto shpenzime mund t’i përballojnë.

Nëse bëhet një krahasim me vitin 2021, disa nga biletat e transportit ndërurban janë shtrenjtuar për rreth 108 për qind, ndërsa ushqimet janë shtrenjtuar për rreth 50 për qind.

Në terma praktikë, kjo do të thotë se një student që vjen nga një qytet tjetër, me të njëjtat të ardhura si disa vite më parë, dikur mund të udhëtonte dy herë në muaj drejt vendlindjes, ndërsa sot mund t’i duhet të paguajë shtesë edhe për të shkuar vetëm një herë në shtëpi gjatë fundjavës.

Ngjashëm është edhe me shpenzimet për ushqim. Nëse në vitin 2021 një student mund të hante me miqtë jashtë të paktën një herë në javë, apo katër herë në muaj, me çmimet e sotme këtë mund ta përballojë rreth dy herë në muaj.

Për të pasur një pasqyrë më të qartë të shpenzimeve mujore dhe vjetore të studentëve, është zhvilluar një anketë me studentë të universiteteve në Shkup.

Sipas rezultateve të anketës, studimi nga aspekti financiar nuk nënkupton vetëm pagesën e shkollimit dhe blerjen e librave. Për studentët, barrë financiare përbëjnë edhe një sërë shpenzimesh të tjera që lidhen me jetesën dhe ndjekjen e studimeve.

Shpenzimet për banim rezultojnë të jenë ndër barrat më të mëdha financiare. Rreth 53,3 për qind e studentëve të anketuar i kanë vlerësuar këto si shpenzimet më të theksuara, veçanërisht për ata që studiojnë në qytet tjetër nga vendbanimi i tyre. Për këtë nevojë, përqindja më e madhe e të anketuarve, përkatësisht 53,3 për qind, kanë deklaruar se shpenzojnë nga 5.000 deri në 10.000 denarë në muaj.

Sa i përket mënyrës së banimit, 46,7 për qind e studentëve të anketuar jetojnë në banesë me qira, ndërsa 13,3 për qindjanë të akomoduar në konvikt studentor. 26,7 për qind kanë deklaruar se jetojnë me familjen e tyre në shtëpinë e tyre, ndërsa 13,3 për qind kanë përmendur forma të tjera të banimit.

Nga të anketuarit, 80 për qind vijnë nga qytete të tjera, ndërsa 20 për qind e kanë vendbanimin në Shkup.

Pas shpenzimeve për banim, shkollimi renditet si një tjetër zë i rëndësishëm financiar. Rreth 26,7 për qind e studentëve e kanë renditur shkollimin ndër shpenzimet kryesore. Pas tij vijnë shpenzimet për ushqim, të cilat përbëjnë barrën më të madhe për 13,3 për qind të studentëve.

Ndërkohë, 6,7 për qind kanë përmendur shpenzime të tjera, si interneti, shërbimet e telekomunikacionit, teknologjia, argëtimi, kafeteritë dhe restorantet.

Shpenzimet për transport janë gjithashtu pjesë e buxhetit të një numri të madh studentësh. Pothuajse gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se kanë shpenzime për transport, ku përfshihen veçanërisht studentët që udhëtojnë nga qytete të tjera.

Shumica e tyre kanë deklaruar se për transport shpenzojnë nga 1.000 deri në 2.500 denarë në muaj. Disa shpenzojnë deri në 1.000 denarë, ndërsa ka edhe studentë që për udhëtime ndajnë nga 2.500 deri në 5.000 denarë.

Edhe literatura dhe materialet mësimore paraqesin një tjetër zë shpenzimesh. 53,3 për qind e studentëve kanë deklaruar se kanë shpenzime për blerjen e librave, ndërsa 73,3 për qind shpenzojnë për fotokopjime dhe materiale të nevojshme për studime.

Nga të anketuarit, 73,3 për qind kanë deklaruar se kanë shpenzime për fotokopjime, ndërsa 66,7 për qind për printimin e materialeve të nevojshme për studimet.

Kur mblidhen të gjitha këto shpenzime, rezulton se më shumë se gjysma e studentëve, përkatësisht 53,3 për qind, kanë deklaruar se shpenzimet mujore të lidhura me studimet arrijnë nga 10.000 deri në 20.000 denarë.

Të dhënat tregojnë se për studentët, veçanërisht për ata që vijnë nga qytete të tjera, kostoja e studimeve përfshin jo vetëm shkollimin, por edhe banimin, ushqimin, transportin, literaturën dhe shpenzime të tjera të përditshme.//faktor.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër