Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se nuk pret ndonjë rezultat konkret nga takimet e paralajmëruara të Qeverisë me autoritetet bullgare, përveç, siç u shpreh ai, “të shtiren sërish si patriotë”, përcjell Zhurnal.mk.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Filipçe tha se Qeveria deri më tani nuk ka kontribuar në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, por, sipas tij, përkundrazi, i ka tensionuar ato.
“Unë nuk pres asgjë, të shtiren sërish si patriotë. Cili do të jetë qëllimi i takimit? Pse nuk pati takim deri tani? Është detyrë e ministrit të Punëve të Jashtme që të takohet para së gjithash me vendet fqinje dhe të përmirësojë marrëdhëniet fqinjësore. Pasuri e jona është që kemi dy vende fqinje që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Deri tani duhej të kishte nga dhjetëra takime si me Greqinë, ashtu edhe me Bullgarinë”, tha Filipçe.
Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, janë menaxhuar deri tani marrëdhëniet me vendet fqinje, duke pretenduar se ato janë përkeqësuar përmes përplasjeve dhe akuzave të ndërsjella.
“Çfarë ndodhi? Ata qëllimisht i përkeqësuan marrëdhëniet, i tensionuan dhe ia hidhnin fajin njëri-tjetrit. A është kjo thelbi? Çfarë do të bëjë Timço tani? Do të gjunjëzohet? Do të përkulet? Çfarë do të bëjë në Bullgari? Pse duhet të shkojmë në Bullgari, kur ne kemi punë me Brukselin për këtë çështje? Pse duan ta bëjnë këtë, ta bilateralizojnë çështjen, kur ajo nuk është ashtu siç duan ta paraqesin?”, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM-së shtoi se nuk sheh arsye që çështjet që lidhen me rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut të trajtohen si çështje dypalëshe, në vend që të adresohen në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian.
“Le të shkojë ministri, kjo është puna e tij. Pyetja është pse nuk shkoi deri tani dhe çfarë mund të pritet nga ai takim. Unë përsëri do të them, nuk pres asgjë, sepse gjithçka është një justifikim. Këta njerëz nuk duan të shkojnë në Evropë, nuk duan që Laura Kovesi të vijë këtu, sepse janë të përfunduar. Kjo është çështja”, deklaroi Filipçe.
