ASH: Nga 13 mësimdhënësit më të mirë për vitin 2025/2026, asnjë nuk është shqiptar

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 05 tetor, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar lidhur me përzgjedhjen e mësimdhënësve më të mirë për vitin shkollor 2025/2026, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e shqiptarëve në këtë proces, përcjell Zhurnal.mk.

Në një komunikatë të publikuar në Ditën Botërore të Mësuesve, ASH thekson se nga 13 mësimdhënësit e shpallur më të mirët për këtë vit shkollor, asnjë prej tyre nuk është shqiptar.

Sipas ASH-së, në listë janë përfshirë edhe mësimdhënës nga Tetova dhe Gostivari, qytete me një numër të madh nxënësish dhe mësimdhënësish shqiptarë. Partia shpreh dyshimin se mungesa e shqiptarëve në listë nuk mund të konsiderohet thjesht si rastësi.

“Kur shqiptarët mungojnë vazhdimisht nga listat e të përzgjedhurve, të shpërblyerve dhe të avancuarve, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të përjashtimit institucional”, thuhet në komunikatën e ASH-së.

Nga kjo parti kanë rikujtuar edhe rastin e pranimit të nxënësve në Shkollën e Mesme të Policisë, ku, sipas tyre, nga 310 nxënës të pranuar, vetëm nëntë kanë qenë shqiptarë.

ASH kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të bëjë publike kriteret e përzgjedhjes, pikët e kandidatëve, si dhe përbërjen e komisionit që ka vendosur për ndarjen e këtyre mirënjohjeve.

“Shqiptarët nuk kërkojnë dhurata dhe as privilegje. Kërkojnë vetëm një shtet që i sheh, i vlerëson dhe i trajton njësoj”, thuhet më tej në komunikatë.

Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Qeveri, duke i pyetur se deri kur do të heshtin, siç shprehet partia, përballë rasteve të përsëritura të mungesës së shqiptarëve në përzgjedhjet institucionale.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër