Berlin, 06 tetor, Zhurnal.mk – Sot në orën 06:41 në derën e shtëpisë së plakut gjerman August Hanning trokitën policë specialë. Në orën 08:58 një furgon i zi e mori me vete 80-vjeçarin Hanning. Nuk do të ishte lajm nëse Hanning do të ishte një njeri i rëndomtë. Por Hanning ka qenë shef i BND-së, shërbimit sekret gjerman.
Dyshimet ndaj tij janë spektakulare: Sipas informacioneve të revistës “DER SPIEGEL” dhe mediave të tjera gjermane, arrestimi lidhet me një hetim të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, mbi bazën e dyshimit të fortë për spiunazh në dëm të shtetit dhe mbledhje të fshehtë të të dhënave që përbëjnë sekrete shtetërore.
Përveç kësaj, Hanningut i atribuohet edhe tentativa për tradhti ndaj shtetit, si dhe veprimtaria si agjent i një shërbimi sekret.
Sipas hetimeve, dyshohet se Hanning, pasi përfundoi karrierën e tij si nëpunës shtetëror, ka siguruar dhe ka përcjellë në mënyrë të paligjshme, për vite me radhë, informacione sekrete të Shërbimit Federal të Inteligjencës gjermane (BND).
Njëkohësisht autoritetet arrestuan edhe një 64-vjeçar, i cili ka qenë shef i zyrës së Hanning në BND.
Dyshohet se nëpërmjet tij Hanning ka siguruar informatat e ndjeshme. Ky ish-zyrtar dyshohet se i ka siguruar Hanningut mbi 2000 dokumente të BND-së.
Pyetja që shtrohet tani në Gjermani është: për cilin shërbim të huaj mund të ketë punuar eventualisht Hanning?
Sipas gazetës “Süddeutsche Zeitung” dhe televizioneve NDR dhe WDR nuk bëhet fjalë për Rusinë. Megjithatë, në qarqet gjermane të sigurisë prej vitesh ishin parë me habi lidhjet e Hanning me Rusinë, transmeton Telegrafi.
Në një hulumtim të gazetës nënvizohet se ngaherë kanë ekzistuar supozime për lidhje tepër të ngushta të Hanningut me Rusinë. Këto fjalë qarkullonin që nga koha kur ai shërbente si diplomat në Berlinin Lindor – ndonëse për këtë nuk ka pasur kurrë prova.
Në vitin 2013 – katër vite pas pensionimit – Hanning dëshmoi para një gjykate në Londër në mbështetje të oligarkut rus Oleg Deripaska, i cili në atë kohë kishte ende lidhje të ngushta me presidentin Vlladimir Putin.
Dëshmia në Londër ngjalli kureshtjen e shërbimeve gjermane të sigurisë. Sipas sipas së përditshmes gjermane edhe në rrethin e kompanive të sigurisë të lidhura me Hanningun shfaqen vazhdimisht persona që, me sa duket, kanë kontakte të ngushta me Rusinë.
Për një periudhë, Hanningu punoi gjithashtu si këshilltar për veprimtarinë në Rusi të kompanisë londineze të konsulencës në fushën e inteligjencës G3.Ish-kreu i BND-së u bë gjithashtu objekt i vëmendjes mediatike për shkak të angazhimit të tij në bankën letoneze PNB, në këshillin mbikëqyrës të së cilës ishte anëtar.
Atje Hanningu duhej të ndërmjetësonte në një mosmarrëveshje mes dy biznesmenëve me prejardhje ruse. Pas falimentimit të PNB-së më 2019, administratori i falimentimit kërkoi nga Hanningu një shumë prej dhjetëra milionësh. Më pas, një gjykatë letoneze thuhet se u përpoq t’ia konfiskonte pasurinë në Gjermani.
Për vite me radhë, Hanning ka bërë një karrierë shembullore në aparatin gjerman të sigurisë. Në këto pozita ai kishte qasje në sekretet më të mëdha të Gjermanisë. I lindur më 1946, ai studioi drejtësinë në Freiburg dhe Münster dhe më 1977 u bë referent në Ministrinë Federale të Brendshme.Në vitet 1980 pasuan detyra në Zyrën e Kancelarit dhe si përgjegjës për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar në Përfaqësinë e Përhershme të Republikës Federale në Berlinin Lindor. Më pas u kthye në Zyrën e Kancelarit.
Në dhjetor të vitit 1998, August Hanning erdhi në krye të BND-së. Më pas, në vitin 2005, kancelarja e atëhershme Angela Merkel e emëroi sekretar shteti në Ministrinë Federale të Brendshme, të drejtuar nga Otto Schily. Katër vjet më vonë, pasardhësi i Schilyt, Thomas de Maizière, e nxori në pension të përkohshëm – thuhet se për shkak të mungesës së lojalitetit.
Arrestimi i Hanning ndodh në një moment kur BND po i nënshtrohet reformave për shkak të akuzave se është institucion shumë burokratik. Në dhjetor të vitit 2022 u arrestua Carsten L., drejtues i një sektori të BND-së, nën dyshimin se kishte përcjellë informacione sekrete te një shërbim i fshehtë rus.
Shefi aktual i BND-së, Martin Jäger, paralajmëroi këtë javë për rrezikun e një konflikti të armatosur me Rusinë.
“Përballja jonë me Rusinë ka marrë një përmasë të re, më të rrezikshme: Gjermania rrezikon të përfshihet në një konflikt të armatosur me Rusinë”, tha Jäger të hënën, gjatë një seance dëgjimore publike para Komisionit Parlamentar të Kontrollit.
Sipas tij, tentativa për sulm në Leipzig me një dron të ngarkuar me lëndë shpërthyese është vetëm një shembull.
“Aktualisht, nga asnjë vend tjetër nuk vjen një kërcënim kaq i drejtpërdrejtë, gjithëpërfshirës dhe konkret ndaj Gjermanisë”. Gjermania, tha ai, është bërë një pengesë kryesore për përpjekjet e Rusisë për të shtrirë pushtetin e saj hegjemonist në Evropë dhe, për rrjedhojë, një objektiv i veprimeve ruse.
“Kush nuk nënshtrohet, bëhet kundërshtar: kjo është mënyra si e sheh Moska”, tha Jäger, sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Shërbimet e fshehta ruse veprojnë “me profesionalizëm të lartë dhe pa skrupuj”, paralajmëroi presidenti i BND-së. “Rreziku i sulmeve ndaj objektivave në Gjermani mbetet real dhe i pranishëm. Këtij rreziku duhet t’i kundërvihemi”.
