Banka Botërore vlerëson se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të rëndësishëm ekonomik

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Banka Botërore vlerëson se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të rëndësishëm ekonomik, por paralajmëron se pa reforma strukturore rritja e PBB-së mund të ngadalësohet në 2,4% deri në vitin 2050, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

Në raportin e ri për rritjen dhe vendet e punës, i prezantuar sot në Shkup, theksohet se pa reforma, vendi rrezikon stagnim afatgjatë dhe do të arrijë vetëm 55% të të ardhurave mesatare të BE-së deri në mesin e shekullit. Ndërsa një agjendë reformuese mund ta rrisë rritjen në 3,8% dhe të hapë rreth 250.000 vende pune më të mira dhe më të paguara.

Sanja Madzareviq Suister, ekonomiste e lartë në Bankën Botërore, tha se analiza ofron jo vetëm një pasqyrë të zhvillimit të deritanishëm, por edhe një vizion për të ardhmen. Ajo theksoi se përmirësimi ekonomik ka ecur paralelisht me uljen e varfërisë, e cila është reduktuar në një të tretën e nivelit të mëparshëm, ndërsa papunësia ka rënë nga 35% në rreth 11%.

Raporti identifikon tre dobësi kryesore strukturore:

produktivitet i ulët dhe investime të pamjaftueshme,

tregje të deformuara dhe konkurrencë e dobët,

kapital njerëzor i pashfrytëzuar, gjithnjë e më i pakët dhe më i kushtueshëm.

Si zgjidhje, propozohet një agjendë reformuese e bazuar në tre shtylla: përmirësim të qeverisjes ekonomike dhe konkurrencës, efikasitet më të madh të shpenzimeve publike dhe menaxhim më të mirë të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe nxitje të integrimit teknologjik, efiçiencës energjetike dhe inovacionit.

Kryeministri Hristijan Mickoski e cilësoi raportin si bazë të mirë për reformat që Qeveria duhet të realizojë. Ai theksoi se në 27 muajt e fundit rritja mesatare reale ka qenë mbi 3,5%, dukshëm më e lartë se ajo e BE-së dhe eurozonës. Mickoski përmendi gjithashtu rritjen e eksportit me 11,5% dhe të importit me 8,5% në tremujorin e tretë, si dhe konsolidimin e inflacionit në nivel më të ulët se mesatarja evropiane.

Ai shtoi se investimet në qendra të të dhënave dhe inteligjencë artificiale, për të cilat tashmë ka interes nga disa investitorë, mund të sjellin rritje të ndjeshme të eksportit të shërbimeve dhe vende pune të paguara mirë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër