Hoxha uron presidenten e re të Kosovës: Dëshmi e pjekurisë së institucioneve demokratike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha uroi sot Presidenten e sapozgjedhur të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha vlerësoi se ky është një moment i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë dhe dëshmi e pjekurisë së institucioneve të saj demokratike, në përgjigje të nevojës për të forcuar më tej institucionet, për të konsoliduar arritjet shtetformuese dhe për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik.

“Ky zhvillim pozitiv përcjell një mesazh të qartë: interesi i qytetarëve dhe i shtetit qëndron mbi çdo ndarje politike. Dialogu, mirëkuptimi dhe gjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet me interes kombëtar janë tregues të pjekurisë demokratike dhe të përgjegjësisë institucionale”, u shpreh ministri Hoxha.

Hoxha siguroi po ashtu se Shqipëria do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën drejt familjes europiane.

“Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Republikës së Kosovës, duke mbështetur përparimin e saj, forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe avancimin e aspiratës së ligjshme për integrim të plotë në familjen evropiane dhe euroatlantike”, theksoi ai.

Hoxha i uroi Presidentes së re suksese në përmbushjen e këtij misioni të lartë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër