Shkup/Prishtinë, 07 tetor, Zhurnal.mk – Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urimet e saj për prof. dr. Justina Shiroka-Pulën me rastin e zgjedhjes së saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, transmeton zhurnal.mk.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X, Siljanovska-Davkova ka uruar Shiroka-Pulën për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet dy vendeve.
“Urime të sinqerta prof. dr. Justina Shiroka-Pulës për zgjedhjen e saj Presidente e Republikës së Kosovës. Si kolege profesoresha, mezi pres të bashkëpunoj ngushtë me të për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, për të promovuar stabilitetin rajonal dhe për të çuar përpara të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. I uroj sukses në mandatin e saj!”, ka shkruar Siljanovska-Davkova.
Urimi i presidentes maqedonase të Veriut vjen menjëherë pas zgjedhjes së Shiroka-Pulës nga Kuvendi i Kosovës, duke i hapur rrugë përfundimit të ngërçit institucional dhe funksionimit të plotë të institucioneve të vendit.
Siljanovska-Davkova, e cila është profesoreshë universitare, në mesazhin e saj ka vënë theksin te bashkëpunimi ndërmjet dy presidenteve, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, stabiliteti në rajon dhe perspektiva evropiane.
Dy vendet kanë zhvilluar ndër vite marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike, ndërsa bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian mbeten ndër fushat kryesore të agjendës së tyre të përbashkët.
