Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi sot që të pezullojë ekzekutimin e dënimit ndaj Greta Gjocit (Pepa), duke urdhëruar edhe lirimin e saj të menjëhershëm nga ambientet e burgimit.
Vendimi u mor sot pas kërkesës së paraqitur nga Greta Gjoci më 5 tetor 2026, me objekt shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal të formës së prerë.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda, vendosi pranimin e kërkesës dhe pezullimin e ekzekutimit të dënimit të caktuar me vendimin më 27 tetor 2025. Ky vendim ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit me datë 5 tetor 2026.
Sipas vendimit të Gjykatës, pezullimi i ekzekutimit do të zgjasë deri më 2 qershor 2027, kur fëmija i Gjocit mbush moshën një vjeç, pasi aktualisht është tremuajshe.
Gjykata gjithashtu ka urdhëruar gjithashtu lirimin e menjëhershëm të Greta Gjocit nga ambientet e burgimit, nëse ajo nuk mbahet për ekzekutimin e ndonjë vendimi tjetër penal.
Për ekzekutimin e vendimit është urdhëruar Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda afatit ligjor prej pesë ditësh.
Greta Gjocit i kanë mbetur dhe 3 vite e 5 muaj burgim nga dënimi i dhënë nga shkalla e parë. Gjoci ishte pjesë e grupit të Bruno Çobos për mashtrim me “Call Center”.
Grupi i drejtuar nga Bruno Çobo akuzohet se përmes një Call Center-i në Tiranë mashtronte kryesisht qytetarë italianë duke i bindur të investonin në bursa. Nga skema u përvetësuan rreth 4,7 milionë euro.
