ASH: Me shëndetin e fëmijëve nuk guxon të eksperimentohet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 08 tetor, Zhurnal.mk – Informacionet për vaksinat BCG ngrenë shqetësime serioze dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë dhe VLEN, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

“Dy lotet e vaksinës BCG, për të cilat në Kroaci janë ngritur dyshime pas shfaqjes së osteomielitit te katër fëmijë, në vendin tonë tashmë janë përdorur. Afati i përdorimit të këtyre loteve ka skaduar në qershor, ndërsa tani, pas alarmit të ngritur nga Kroacia, përdorimi i vaksinës së prodhuesit bullgar është pezulluar dhe imunizimi do të vazhdojë me vaksina nga një prodhues japonez.
Kjo hap disa pyetje serioze.

Sa fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me këto dy lote?

A janë ndjekur këta fëmijë dhe a është bërë kontroll i posaçëm pas informacionit të ardhur nga Kroacia?

Pse opinioni për këtë çështje informohet vetëm pasi alarmi u ngrit në një shtet tjetër?

Deklarata se deri tani nuk janë evidentuar reaksione të padëshiruara nuk është e mjaftueshme. Ministria e Shëndetësisë duhet të publikojë të dhënat e plota, numrin e fëmijëve të vaksinuar me këto lote, rezultatet e kontrolleve dhe analizave të kryera dhe masat që janë ndërmarrë pas ngritjes së dyshimeve.

VLEN duhet ta kuptojë se Ministria e Shëndetësisë nuk është vend për improvizime dhe reagime të vonuara. Kur bëhet fjalë për shëndetin e të porsalindurve, institucionet duhet të reagojnë me kohë, me transparencë dhe me përgjegjësi të plotë.

Kërkojmë transparencë të menjëhershme dhe përgjigje konkrete. Shëndeti i fëmijëve nuk mund të trajtohet me heshtje dhe sqarime pasi problemi të ketë dalë në publik, thonë nga ASH.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër