Paris, 09 tetor, Zhurnal.mk – Në disa qytete franceze u zhvilluan marshime si pjesë e të ashtuquajturit “akti i katërt” i mobilizimit studentor që po trondit vendin, shtatë muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, shkruan tgcom24.it.
Kjo valë protestash çoi në ndalimin e pak më shumë se 500 personave.
Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, duke folur në edicionin e lajmeve të orës 20:00 në kanalin TF1, prezantoi “masat e para konkrete”: vënien në dispozicion të gjimnazeve që përballen me vështirësitë më të mëdha të 3000 mësuesve zëvendësues.
Ndërkohë, pasditen e sotme (8 tetor), qindra të rinj dolën sërish në rrugët e Parisit, duke u mbledhur në sheshin “Bastille” – pikëtakimi kryesor i lëvizjes, i cili në një moment ishte nën masa të rrepta sigurie nga policia.
Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Marsejë, Lion, Bordo dhe Nantë. Sindikatat, përfshirë FSU (Federata e Sindikatave të Bashkuara) dhe CGT Educ’action, kanë njoftuar një grevë në sektorin e arsimit për të martën, më 13 tetor.
“Derisa të vihen në tryezë 10 miliardë euro, ne nuk do të ndalojmë së dali në rrugë” – ky ishte mesazhi i përsëritur nga Sabrine Kharbach, zëdhënëse e *Union Etudiante*, nga sheshi “Bastille”.
Mes studentëve në Paris ishte edhe Elwan, një nxënës i gjimnazit “Jacques Decour”, fjalimet e të cilit u bënë virale pasi u shfaq në video të ndryshme dhe u ftua në programe televizive.
Tashmë i rreshtuar hapur krah Jean-Luc Mélenchon-it – liderit të lëvizjes *La France Insoumise* (LFI) dhe kandidatit presidencial për vitin 2027 – Elwan ishte në krye të marshimit, përballë një kordoni të policisë së rendit (CRS).
Tensionet në sheshin “Bastille” arritën kulmin.
Sipas gazetës *Le Figaro*, shpërthyen përplasje midis demonstruesve dhe forcave të rendit, të cilat ndërhynë me forcë ndaj turmës dhe përdorën gaz lotsjellës për ta shpërndarë atë.
Të gjitha hyrjet për në shesh u bllokuan përkohësisht nga kordonët e policisë së rendit (CRS).
Mobilizim pati edhe në Nantë, ku u raportuan përplasje dhe tensione midis policisë dhe protestuesve. Aty, siç vëren *Le Figaro*, situata u tensionua ndërsa protestues të rinj u përballën me policinë, duke bërë që forcat e rendit të përdornin gaz lotsjellës.
Kjo situatë është përsëritur që nga mesi i shtatorit, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për qetësi dhe vetëpërmbajtje. Demonstrata të ngjashme u zhvilluan gjithashtu në Marsejë, Lion dhe Bordo.
