Karakaçi: Mbrojtja lumore në aksin Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e projektit të zgjerimit të rrugës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 09 tetor, Zhurnal.mk – Ndërtimi i sistemit të mbrojtjes lumore në aksin Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e projektit të zgjerimit të rrugës dhe synon të mbrojë infrastrukturën nga erozioni dhe rrëshqitjet e tokës, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një inspektimi në terren.

Duke iu referuar shqetësimeve të ngritura në rrjetet sociale për ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin, Karakaçi sqaroi se punimet po kryhen sipas projektit të zbatimit dhe se argjinatura e ndërtuar në zonë është e përkohshme.

“Mbrojtja lumore është një nga komponentët më të rëndësishëm të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë dhe po realizohet për herë të parë në këtë aks”, u shpreh ministri.

Ministri bëri të ditur se rreth gjashtë muaj më parë, gjatë zhvillimit të projektit, një rrëshqitje masive krijoi probleme për ecurinë e punimeve dhe qarkullimin e automjeteve. Sipas vlerësimeve të specialistëve në terren, një nga faktorët që ndikoi në këtë situatë ishte erozioni i thellë, i shkaktuar edhe nga mungesa e mbrojtjes lumore.

Karakaçi theksoi se në zonën e punimeve po ndërtohet një sistem mbrojtës me pilota dhe mur betoni, ndërsa trupi i rrugës do të ngrihet rreth 18 metra mbi nivelin aktual të lumit.

“Për të kryer këto punime në kushte të sigurta dhe të thata, është ndërtuar një argjinaturë provizore, e cila izolon përkohësisht zonën e punimeve nga prurjet e lumit”, deklaroi ai.

Ministri sqaroi se argjinatura nuk përfaqëson konfigurimin përfundimtar të shtratit të Shkumbinit dhe do të hiqet pas përfundimit të punimeve.

“Ajo që shohim sot në terren, pavarësisht pamjes që mund të krijojë shqetësim, nuk është konfigurimi përfundimtar i shtratit të Shkumbinit, por një masë e përkohshme e nevojshme për realizimin e punimeve”, u shpreh Karakaçi.

Ai nënvizoi se ndërhyrja është parashikuar në projekt për të mbrojtur rrugën dhe shtratin lumor, si dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës dhe funksionimin normal të lumit Shkumbin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër