Filluan testimet për provimin e jurisprudencës

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 tetor Zhurnal.mk – 52 kandidatët e paraqitur për provimin e jurisprudencës prej sot kanë filluar testimet për sesionin e tetorit në lëndën e të drejtës penale. Testimet në maqedonisht i japin edhe 12 kandidatë shqiptarë, meqë ende nuk ka zgjidhje për premtimin se provimi do të jepet edhe në shqip. Nga Ministria e Drejtësisë kanë premtuar se në pjesën e parë të tetorit do të ftohen studentët e fakulteteve juridike dhe dekanët për t’ua prezantuar zgjidhjen, por ftesat nuk kanë arritur ende në adresat e tyre. Kryeministri Hristijan Mickoski, mbrëmë në emisionin “N’Dritë” në Alsat tha se ka mbetur vetëm 1% deri te zgjidhja finale.

“Ne bëjmë zgjidhje që të jetë kushtetuese që të mos na ndodh siç është Ligji për Gjuhët në Gjykatën Kushtetuese me 300 sfida atje brenda, por të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë edhe kushtetuese edhe çka është me rëndësi të sundojë e drejta. A është gati zgjidhja? Po, 99%. Mund ta tregoni se çfarë përmban? Derisa nuk është zyrtare, nuk dua të flas, pasi jam kryetar i Qeverisë nuk dua të spekuloj ose të shprehem në bazë të ndjenjave”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Megjithatë premtime se zgjidhja është krejt në fund, tanimë me muaj të tërë opinioni është duke dëgjuar. Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti që në maj ka premtuar zgjidhjen për tre muaj, për të pranuar pas katër muajsh se zgjidhja është vonuar.

“Po ja le të jetë afat tremujor. Se ajo ka procedurë, duhet të bëhet propozim-ndryshim ligji, duhet të kaloje në Qeveri, duhet të kaloje në Parlament dhe procedura tjera”, theksoi Izet Mexhiti, VLEN.

“Në kuadër të asaj që e kam deklaruar, shume shpejtë do të kemi edhe zgjidhjen e jurisprudencës. Sa nënkupton kjo? Po nëse kam thënë tre muaj, aq sa kanë mbetur, do të kalojë edhe ajo”, tha Izet Mexhiti, VLEN, më 19 qershor.

“Është fakt që ka një vonesë, e vogël mirëpo pat deklaratë edhe nga ministri dhe për atë një prej arsyeve që e kemi marrë drejtësinë është për ta rregulluar jo vetëm provimin e jurisprudencës, por edhe provimet tjera”, thotë Izet Mexhiti, VLEN, 1 tetor.

Koleksion me premtime ka edhe zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, i cili që nga shkurti i këtij viti, vetëm në Facebook, 7 herë paralajmëron zgjidhjen. E të mos flasim për premtimet tjera nëpër ngjarje të ndryshme, emisione apo intervista.

Premtime të shumta janë dhënë edhe nga përfaqësuesit e tjerë të VLEN-it, përfshirë edhe bashkëkryetarin Bilall Kasami, i cili gjithashtu në maj të këtij viti, zgjidhjen e ka paralajmëruar për 3 muaj.

“Unë kam thënë që brenda qershorit do të nis procedura për plotësim të ligjit të jurisprudencës dhe që besojmë që në kuadër të asaj që ka thënë edhe zotëri Mexhiti, brenda tre muajve do të kemi një afat përfundimtar dhe do të kemi një zgjidhje ligjore”, pati deklaruar Bilall Kasami, VLEN, 20 maj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër