Tetovë, 10 tetor Zhurnal.mk – Shkolla e mesme “8 Shtatori” në Tetovë, edhe 30 vjet pas themelimit, vazhdon të përballet me mungesën e psikologut. Pavarësisht kërkesave të përsëritura ndër vite për punësimin e psikologëve, sociologëve dhe defektologëve, shkolla ende nuk ka arritur të sigurojë këta bashkëpunëtorë profesionalë. Nga drejtoria e shkollës thonë se prania e tyre është e domosdoshme për t’iu përgjigjur nevojave të nxënësve, ndërsa pengesë mbetet mungesa e mjeteve financiare.
“Mund të them se brenda një viti shkollor e kam përsëritur tri herë të njëjtën kërkesë. Kemi kërkuar punësimin e psikologëve, sociologëve dhe defektologëve, sepse është shumë e nevojshme. Shkolla jonë ka rreth 1.300 nxënës dhe 125 të punësuar, gjë që paraqet një përgjegjësi të madhe dhe kërkon kushte të përshtatshme për ofrimin e shërbimeve profesionale. Presim që institucionet kompetente, përkatësisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës, t’i shqyrtojnë kërkesat tona për punësimin e kuadrit profesional dhe të na japin përgjigje, pasi ky kuadër është i domosdoshëm për interesin e nxënësve”, deklaroi drejtoresha e shkollë së mesme “8 Shtatori”, Hava Hasani.
Nga Sektori i Arsimit në Komunën e Tetovës thonë se kërkesat për punësime të reja janë përcjellë në institucionet qendrore, por pengesë mbetet mungesa e mjeteve financiare.
“Ne jemi kundër mungesës së këtyre profileve, pasi e dimë se fëmijët kanë nevojë për to, por edhe stafi i shkollave ka nevojë për bashkëpunëtorë të profileve të ndryshme profesionale.Kërkesat për punësime të reja dhe sigurimin e mjeteve financiare i kemi dorëzuar në muajin qershor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka përcjellë kërkesat në Ministrinë e Financave, nga e cila kemi marrë përgjigje se, për shkak të mungesës së mjeteve në buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk mund të ndahen mjete financiare për këto profile”, deklaroi udhëheqësi i sektorit të arsimit në komunën e Tetovës, Valedin Ademi.
Në mungesë të psikologëve, një pjesë të përgjegjësive e mbulojnë pedagogët dhe mësimdhënësit. Derisa institucionet përgjegjëse ende nuk kanë gjetur zgjidhje, shkollat vazhdojnë të përballen me mungesën e kuadrit profesional, ndonse komuna e Tetovës ka angazhuar bashkëpuntorë profesional tek shkollat ku ka munges kuadri.
