Kamberi: Vuçiqi shqetësohet nga përfaqësimi i bashkuar shqiptar, jo vetëm nga mandatet

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Preshevë, 11 tetor Zhurnal.mk – Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me koalicionin shqiptar, duke vlerësuar se shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me numrin e mandateve që mund të fitojë kjo listë, por edhe me ndikimin politik dhe diplomatik që mund të ketë një përfaqësim i bashkuar dhe i pavarur shqiptar.

Përmes një reagimi, Kamberi ka theksuar se rëndësia e përfaqësimit shqiptar nuk matet vetëm me numrin e deputetëve në Parlament, por edhe me aftësinë për t’i adresuar problemet e shqiptarëve në institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka kritikuar etiketimin e listës shqiptare si armike të shtetit, duke thënë se kjo e zhvendos debatin nga konkurrenca zgjedhore dhe të drejtat e pakicave te besnikëria ndaj pushtetit.

Sipas Kamberit, një narracion i tillë synon të përçajë përfaqësimin shqiptar dhe të ushtrojë presion ndaj partive e kandidatëve që mund të bashkëpunojnë me të.

Deputeti ka përmendur edhe tri fusha ku përfaqësuesit shqiptarë mund të ndikojnë: ngritjen e çështjeve të pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit në Parlament; adresimin e tyre te institucionet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare; si dhe ndërtimin e një përfaqësimi të pavarur nga politika e qeverisë serbe.

“Ndikimi i deputetit nuk matet vetëm me votat që ka në Parlament, por edhe me aftësinë për ta bërë një problem të brendshëm çështje të përgjegjësisë institucionale dhe ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Kamberi ka vlerësuar gjithashtu se Vuçiqi po përpiqet ta zhvendosë debatin nga të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës te çështjet e sigurisë kombëtare, duke e larguar vëmendjen nga detyrimet e shtetit serb.

Në këtë kontekst, ai ka përmendur katër marrëveshjet e nënshkruara në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022, për të cilat pretendon se Serbia nuk po i zbaton.

Në fund, Kamberi ka theksuar se një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të ketë ndikim më të madh politik e diplomatik sesa sugjeron numri i mandateve që mund të fitojë në Parlamentin e Serbisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër