AMA dhe Prokuroria e Përgjithshme, memorandum bashkëpunimi kundër piraterisë digjitale audiovizive

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Autoriteti i Mediave Audiovizuale dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për forcimin e luftës kundër piraterisë digjitale audiovizive.

Ky memorandum, i cili vjen si përmbushje e detyrimeve të AMA-s që rrjedhin nga rezoluta e Kuvendit për vitin 2026, u nënshkrua nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi dhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.
“Përmes kësaj marrëveshjeje vendosëm një mekanizëm të qëndrueshëm bashkëpunimi mes AMA-s dhe Prokurorisë së Përgjithshme, për identifikimin dhe dokumentimin e shkeljeve, shkëmbimin e informacionit dhe referimin e rasteve që mund të përbëjnë vepra penale”, tha Krasniqi.
Sipas saj, synimi është një reagim më i koordinuar dhe më efikas, në respekt të kompetencave ligjore të secilit institucion.
“Jam e bindur se përballë formave gjithnjë e më të sofistikuara të piraterisë, bashkëpunimi ynë ndërinstitucional është thelbësor. Falënderoj Prokurorin e Përgjithshëm për angazhimin në këtë përpjekje të përbashkët, e cila kam bindjen se do të hedhë një gur të ri në themelin e murit që mbron konkurrencën e ndershme dhe kontribuon për një treg audioviziv të standardeve europiane”, u shpreh Krasniqi.
Për ne në AMA, shtoi Krasniqi, mbrojtja e të drejtave të transmetimit është një angazhim i vazhdueshëm për të mbrojtur punën e krijuesve, investimet e operatorëve të ligjshëm dhe konkurrencën e ndershme në tregun audioviziv.
“Pirateria e zhvlerëson këtë punë, dëmton industrinë dhe pengon investimet në përmbajtje cilësore për publikun”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër