Ndryshimet në Ligjin për Mjedisin, kërkohet mbrojtje e zonave të kontaminuara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 tetor, Zhurnal.mk – Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Mjedisin, të cilat janë në procedurë parlamentare, kanë nxitur reagime të ashpra nga organizatat ekologjike dhe ekspertët juridikë.

Ndërsa Ministria e Mjedisit i arsyeton ato me nevojën për harmonizim me legjislacionin evropian, organizatat paralajmërojnë se disa nga dispozitat mund të ulin nivelin e mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.

Nga organizata ekologjike “Eko-Svest” vlerësojnë se ndryshimet kryesisht synojnë thjeshtimin e procedurave për subjektet juridike që preken nga ligji dhe uljen e standartit të mbrojtjes që u garantohet qytetarëve.

Shqetësim të veçantë, sipas tyre, paraqet fshirja e dispozitave për menaxhimin e zonave të kontaminuara, për të cilat ende nuk dihet se me cilin ligj tjetër do të rregullohen dhe kur do të miratohet ai. Kjo rrezikon që ato të mbeten të pambrojtura për një periudhë.

“Edhe pse qëndrimi zyrtar është se ndryshimet bëhen me qëllim harmonizimin me legjislacionin evropian, mund të themi se kjo vlen vetëm për disa zgjidhje të pjesshme të përfshira në ndryshime… Ajo që është e rëndësishme të theksohet është se, me ndryshimet e propozuara, menaxhimi i zonave të kontaminuara do të mbetet në një periudhë vakumi ligjor. Nuk do të mund të ndërmerren veprime për këto zona, duke qenë se është planifikuar që ato të menaxhohen sipas një ligji tjetër, por ende nuk e dimë se cili do të jetë ky ligj dhe kur do të miratohet. Kështu, ekziston një rrezik serioz që këto zona të kontaminuara, të njohura si pika të nxehta ekologjike, të mbeten të pambrojtura për një periudhë të caktuar kohore.”, – deklaroi Marko Gushevski nga “Eko-Svest”.

Sipas Shoqatës Maqedonase të Juristëve të Rinj, në Planin për Menaxhimin e Mbetjeve për periudhën 2021–2031 janë evidentuar shtatë zona të kontaminuara në vend. Theksojnë se fshirja e dispozitave ligjore për rehabilitimin e këtyre zonave krijon një zbrazëti juridike dhe paqartësi për institucionin që do të mbajë përgjegjësinë për sanimin e ndotjes.

Sipas tyre, procesi për miratimin e ligjit nuk ishte transparent, sepse teksti i publikuar në ENER vitin e kaluar nuk është i njëjtë me atë që i është dorëzuar Kuvendit.

“Kjo padyshim do të ketë pasoja negative për mjedisin, sepse do të krijohet një zbrazëti juridike dhe nuk do të dihet se kush mban përgjegjësi për trajtimin e këtyre zonave të kontaminuara. Ekziston rreziku që në të ardhmen ndonjë koncesionar t’i shfrytëzojë ekonomikisht të gjitha materialet e vlefshme që gjenden në këto zona të kontaminuara, ndërsa barrën e rehabilitimit ta lërë mbi ne. Problemi tjetër janë elaboratet për mbrojtjen e mjedisit, të cilat ekzistojnë prej kohësh në vendin tonë. Megjithatë, zbatimi i tyre është vërtet problematik, sepse cilësia e tyre është shumë e dobët.”, – theksoi Bojan Tërpevski nga Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj.

Shoqata alarmon se, ndryshimet janë në kundërshtim jo vetëm me parimet evropiane, por edhe me ato ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit duke sqaruar se bëhet fjalë për parimin e kujdesit paraprak dhe parimin e parandalimit, sipas të cilëve dëmi duhet të parandalohet përpara se të ndodhë.

Organizatat kërkojnë që ndryshimet ligjore të garantojnë mbrojtje më të lartë të mjedisit, përgjegjësi të qarta institucionale dhe transparencë në vendimmarrje, në vend që të krijojnë hapësirë për paqartësi ligjore dhe rrezikim të shëndetit të qytetarëve. (Florije Kamberi, TVM2)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër