VLEN: Gjashtë policë të suspenduar, askush nuk mund t’i ikë përgjegjësisë!

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 tetor, Zhurnal.mk – Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjve nga Saraji. Institucionet reaguan në kohë rekord dhe ndaj tyre kanë nisur procedurat disiplinore. Rasti nuk u la pa përgjigje. MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria.

Dhuna policore nuk ka vend në vendin tonë. Uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur. Asnjë dyshim ndaj një personi nuk e arsyeton keqtrajtimin e tij.

Por, sapo dolën pamjet, opozita shqiptare tentoi ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Nisën akuzat, propaganda dhe përpjekjet për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti.

Suspendimi i gjashtë policëve është dëshmi se sistemi funksionon. Kjo është fitore e integritetit përballë manipulimeve. Fitore e arsyes së shëndoshë ndaj përpjekjeve për të nxitur tensione ndëretnike.

E tani, meqë BDI-ja kërkoi edhe dorëheqjen time, kam disa fjalë për ju që shpifjen e propagandën e keni në majë të gjuhës.

Për njëzet vjet ishit në pushtet. Gjatë qeverisjes suaj ndodhën ngjarje makabre, shumë prej të cilave lidhen me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ngjarje që shqiptarët nuk i harrojnë.

Nuk harrohet “Sopoti”, ku i latë njerëzit të kalben burgjeve.

Nuk harrohet djegia e dyqaneve shqiptare, ndërsa ju vazhdonit të rrinit si dekor në pushtet.

Nuk harrohet “Monstra”, as fyerja ndaj shqiptarëve me termin “indijanci”.

Nuk harrohet vdekja e Rexhail Qerimit në burg.

Nuk harrohet vrasja e Harun Aliut.

Nuk harrohet as vrasja e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës).

Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë JU? Asgjë. Heshtët!

Sado që mundoheni t’i fshini me gomë nga memoria kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia dilni. Nuk do t’ia dilni, sepse shqiptarët ju mbajnë mend mirë. Ju jeni parti me shumë mëkate, fund e krye.

Të nderuar,

Koha e rasteve të montuara, e vrasjeve, e hajdutërive dhe e skenarëve për hesape politike ka marrë fund me BDI-në në opozitë. Ka marrë fund edhe koha kur dikush mendonte se mund të bënte ç’të donte pa dhënë llogari.

Ajo kohë nuk kthehet më. Kurrë. Asnjëherë!

artikuj të ndërlidhura