Pas më shumë se tri dekada pritje, më në fund nisin punimet për ujësjellësin e fshatit Siniçan

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 12 tetor Zhurnal.mk – Pas më shumë se tri dekada pritje dhe mungese të vazhdueshme të ujit, i cili edhe kur vinte në çezmat e banorëve të Siniçanit të Komunës së Bogovinës ishte i papërdorshëm, më në fund kanë nisur punimet për kaptimin e ujit, dhe përmirësimin e cilësisë së tij. Banorët e fshatit Siniçan kërkojnë nga komuna e Bogovinës që projekti të përfundojë në kohë dhe pa vonesa. Ata gjithashtu bëjnë thirrje për vendosjen e orëmatësve në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi.

“Kjo ka qenë një ndër kërkesat më jetike që kemi pasur ne si banor të fshatit Siniçan, pas asaj beteje që zhvilluam gjashtë vite më parë me shumë mund e sakrificë e me ndihmën tuaj si media, mirëpo, në mungesë të ujit dhe cilësisë, na shfaqeshin këto nevoja. Ne si banorë duke pasur parasysh mundin që kemi dhënë për ta sjellë ujin, të njëjtin e kemi konsumuar edhe pse nuk ka qenë në cilësinë e duhur”, u shpreh një banor i Siniçanit.

“Komuna duhet ta ketë parasysh që të vë dhe orëmatës për ujin e pijes, sepse ne kërkojmë ujin për pije dhe jo për vaditje. Andaj kryetari duhet ta ketë parasysh këtë që të vendos orëmatës jo vetëm tek neve por në gjithë komunën. Duhen patjetër orëmatës të mos keqpërdoret”, deklaroi një banor i fshatit Siniçan.

Kreu i komunës së Bogovinës nuk sqaron vonesën e deritanishme të projektit, por premton se projekti i ujit në fshatin Siniçan, do të përfundojë brenda këtij viti.

“Kryesisht bëhet fjalë për kaptim profesional. Do bëhet me buxhet të komunës që do i shërbej rritjes së cilësisë së ujit në fshatin Siniçan. Kemi nisur në këtë periudhë edhe pse është fundi i vitit, ne do bëjmë maksimum që ta kryejmë gjatë kësaj kohë që në sezonin e dimrit apo vitin e ardhshëm të jetë projekt i përfunduar”, u shpreh Feti Abazi, Kryetar i komunës së Bogovinës.

Ndërkaq, vite më parë, mungesa e ujit dhe problemet me cilësinë e ujit të pijshëm, që sigurohet nga bjeshkët e fshatit Urviç, i nxorën banorët e Siniçanit në protesta. Për ditë të tëra, ata qëndruan në bjeshkë, ndërsa situata u tensionua deri në atë pikë sa protestuesit u rrethuan edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Megjithatë, edhe pas protestave, problemi u zgjidh vetëm pjesërisht. Për më shumë se pesë vite të tjera, banorët vazhduan të përballen me mungesën e ujit, ndërsa edhe kur kishte ujë nuk ishte i përshtatshëm për t’u pirë dhe mund të përdorej vetëm për nevoja teknike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër