Shkup, 12 tetor, Zhurnal.mk – Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Jakup Huseini, ka prezantuar nevojat infrastrukturore të Miletinës, duke vënë theksin te rikonstruksioni i stadiumit të KF Rufeja dhe zgjerimi i urës që lehtëson qarkullimin e banorëve.
Huseini tha se Miletina ka traditë sportive, futbollistë dhe tifozë, por stadiumi i KF Rufeja kërkon ndërhyrje serioze dhe rikonstruksion të plotë. Ai paralajmëroi se do të angazhohet për sigurimin e mbështetjes nga Ministria e Sportit, me qëllim përmirësimin e kushteve për sportistët dhe tifozët.
“Me ndihmën e Ministrisë së Sportit do të punojmë që ky stadium të marrë pamjen dhe kushtet që meritojnë sportistët dhe tifozët e Miletinës”, deklaroi Huseini.
Një tjetër çështje që kërkon zgjidhje është zgjerimi i urës në Miletinë. Sipas Huseinit, ndërhyrja është urgjente dhe do të lehtësonte qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve, ashtu siç është evidentuar edhe në Radiovcë.
Përmes këtyre ndërhyrjeve, Huseini synon të përfshijë në planin e tij si përmirësimin e infrastrukturës sportive, ashtu edhe zgjidhjen e problemeve të përditshme të banorëve të Miletinës.
