Kosova i kërkon SHBA-së rikthim të dialogut strategjik e përkrahje për anëtarësim në NATO

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Kosova i ka kërkuar SHBA-së që të riktheje dialogun strategjik me të si dhe përkrahje për anëtarësim në NATO.

Këto kërkesa liderët e institucioneve i kanë bërë në takimet që i kanë zhvilluar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët të hënën kanë qëndruar për vizitë në Kosovë.

Në takim më seantorët, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ka thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.

Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga Shaheen dhe Durbin ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake amerikane Bondsteel-it në bazë të përhershme.

“Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish-presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të vitit 2025. Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se ky vendim ishte marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Sipas Ambasadës këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë dhe kishin kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër