Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, nga nisja e negociatave te faza e mbylljes së kapitujve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Sot, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.

Kapitulli 20 lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Kjo konferencë erdhi pas një vendimi të Këshillit të ministrave të çështjeve Evropiane më 25 mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.

Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin 1: Themeloret, duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike; Reforma e administratës publike; Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria.

Kriteret ekonomike: Kapitulli 5 – Prokurimi publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.

Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin VI: Marrëdhëniet e Jashtme, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 31 – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.

Konferenca e katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt Ndërqeveritare. Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin II: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve, Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës, Kapitulli 9 – Shërbimet financiare, Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Konferenca e pestë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 22 maj 2025 u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin III: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.

Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE

Më 16 shtator 2025 u mbajt Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që iu kushtua grup-kapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshinin: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27), të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Konferenca e shtatë Ndërqeveritare

Në Konferencën e shtatë Ndërqeveritare  me BE-në (17 nëntor 2025) u hapën negociatat mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë kapitujt 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).

Ky ishte grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hapi me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.

Konferenca e tetë Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian

Në Konferencën e tetë Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, u mbajt më 26 maj 2026. Ajo hapi zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim.

Kjo konferencë ndërqeveritare erdhi pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.

Konferenca e nëntë Ndërqeveritare

Konferenca e nëntë Ndërqeveritare (14 korrik 2026) shënoi hapin e radhës në procesin e negociatave Shqipëri–BE, mbylljen provizore të 3 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër