Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar 80 akte nënligjore gjatë periudhës 2021-2025, ndërsa 26 dispozita të parashikuara në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi mbeten ende për t’u përmbushur.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi tha se nga 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve nga KLGJ-ja, janë përmbushur 59, ndërsa 26 të tjera mbeten për t’u miratuar.
Ai sqaroi se numri i akteve të miratuara dhe ai i dispozitave të përmbushura janë tregues të ndryshëm, pasi një vendim i Këshillit mund të përmbushë detyrime që burojnë nga disa dispozita njëkohësisht.
“Në përputhje me kërkesën e komisionit, do të ndalemi tek aktet në ligjore të miratuara gjatë periudhës 2021-2025, fusha që ato rregullojnë zbatimin e tyre dhe detyrimet që mbeten për t’u përmbushur. Gjatë periudhës 2021-2025, Këshilli ka miratuar 80 akte, përkatësisht 14 në vitin 2021, 10 në vitin 2022, 27 në vitin 2023, 9 në vitin 2024 dhe 20 në vitin 2025. Në tre ligjet kryesore të reformës në drejtësi, janë identifikuar 85 dispozita që parashikojnë detyrime për nxjerrjen e akteve prej Këshillit. Janë përmbushur detyrimet që burojnë nga 59 prej tyre, ndërsa 26 dispozita mbeten për t’u u miratuar sipas rregullimit të duhur”, tha ai.
Sipas tij, pjesa më e madhe e akteve lidhet me zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve, vlerësimin etiko-profesional, procedimet disiplinore, kompensimin financiar, administrimin e gjykatave, rritjen e efikasitetit të gjyqësorit dhe komunikimin me median e publikun.
Rusi theksoi se, në fillimet e veprimtarisë së Këshillit, një nga sfidat kryesore ishte plotësimi i vakancave të krijuara nga procesi i rivlerësimit kalimtar. Për këtë arsye, institucioni i dha përparësi hartimit të rregullave për rekrutimin, emërimin, vlerësimin dhe zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve.
“Ishte e nevojshme të krijoheshin rregulla mbi të cilat do të kryheshin këto procedura dhe do të plotësoheshin vendet e lira”, tha ai.
KLGJ-ja miratoi gjithashtu rregulla standarde për organigramat dhe përshkrimin e detyrave e përgjegjësive të nëpunësve civilë gjyqësorë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucione të tjera të sistemit.
“Aktet në ligjore zbatohen si nga struktura e Këshillit, ashtu edhe nga gjykatat, gjyqtarët dhe administrata gjyqësore. Ato rregullojnë menaxhimin e burimeve njerëzore, organizimin e punës, shpërndarjen e çështjeve dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve”, tha ai.
Megjithatë, shtoi ai “gjatë punës është shfaqur nevoja për rregullime më të qarta, me përshtatje me ndryshimet ligjore ose për përmirësimin e procedurave”.
Sipas Rusit, ndër fushat ku ende nevojiten akte të reja përfshihen formimi i vazhdueshëm i magjistratëve, papajtueshmëritë ambientale, shpërblimi i paaftësisë, ulja e ngarkesës, pensioni i parakohshëm dhe vlerësimi i veprimtarisë drejtuese.
