Shkup, 13 tetor, Zhurnal.mk – Në një kohë kur gjuhët kombëtare po humbasin hapësirën e tyre, dhe globalizimi po shtyp gjuhët e kombeve të vogla, përgjegjësia jonë nuk është vetëm ta ruajmë trashëgiminë tonë gjuhësore, por edhe ta mbajmë gjallë, ta zhvillojmë dhe ta hapim ndaj botës. Mbi të gjitha, përgjegjësia jonë është ta shohim gjuhën si një urë lidhëse midis njerëzve, të krijojmë kushte që brezat e rinj të njohin dhe respektojnë gjuhët e tyre, por në të njëjtën kohë të kenë mundësinë të mësojnë gjuhë të tjera, të komunikojnë me kultura të tjera dhe të jenë qytetarë aktivë të një shoqërie evropiane, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në fjalën e tij përshëndetëse me rastin e Ditëve të hapura të Institutit të gjuhës maqedonase “Kërste Misirkov” – Shkup.
Ai falënderoi për ftesën për t’u drejtuar në këtë ngjarje sepse siç tha ai, “të flasësh për gjuhën maqedonase në djepin e saj, ku studiohet, mbrohet dhe kultivohet, përveçse është një nder dhe privilegj, është edhe një përgjegjësi e madhe”.
Lidhur me Institutin, ai theksoi se ai ka një rëndësi të veçantë në vend me punën shkencore që bën për më shumë se 70 vjet dhe se përfaqëson “një referencë të rëndësishme për identitetin e popullit maqedonas, por edhe për shtetin tonë të përbashkët”.
Gjuha maqedonase, tha Gashi, përfaqëson identitetin themelor mbi të cilin është ndërtuar vetë populli maqedonas.
“Duke i takuar një populli që ka ndërtuar edhe identitetin e tij kombëtar mbi gjuhën dhe suksesi i të cilit matet me shkallën e përdorimit të saj, unë e kuptoj më së miri peshën dhe rëndësinë e gjuhës maqedonase për popullin maqedonas. Kjo është arsyeja pse gjatë gjithë karrierës sime politike, por edhe para kësaj, jam përpjekur të jem i kujdesshëm jo vetëm që të mos dëmtoj këtë element të rëndësishëm të ndërtimit të identitetit kombëtar të bashkëqytetarëve të mi, por edhe të ndihmoj në afirmimin dhe mbrojtjen e tij kudo që kam pasur mundësi dhe në çdo rast. Aty ku një gjuhë respektohet, respektohen edhe njerëzit që e flasin atë gjuhë. Unë besoj fuqimisht në një të ardhme evropiane, në të cilën diversiteti gjuhësor është burim pasurie, dhe komunikimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë janë themeli i shoqërisë dhe unitetit tonë shtetëror”, theksoi Gashi.
Duke theksuar pasurinë e gjuhëve dhe kulturave si një avantazh të shoqërisë sonë multietnike, Gashi tha se pikërisht për këtë arsye, “çështja e gjuhëve, mbrojtja dhe kultivimi i tyre si dhe përdorimi i tyre publik dhe institucional, kërkon përgjegjësi, respekt dhe dialog të vazhdueshëm”.
Siç tha ai, folësit e gjuhëve ballkanike, përfshirë maqedonishten dhe shqipen, kanë krijuar tipare të përbashkëta gjuhësore edhe pse këto gjuhë mund të ndryshojnë sipas gjenealogjisë dhe tipologjisë së tyre.
“Kjo do të thotë që edhe kur elitat politike dëshirojnë t’i ndajnë njerëzit, gjuhët janë ato që i lidhin ata. Nuk duhet t’i shohim gjuhët si kufij midis njerëzve, por si ura drejt kulturave, njohurive dhe përvojave të tjera”, tha Gashi.
Ai shtoi se konferencat shkencore, si kjo e organizuar nga Instituti i gjuhës maqedonase, janë veçanërisht të rëndësishme sot “kur mënyrat e komunikimit po ndryshojnë me shpejtësi, kur digjitalizimi krijon forma të reja të përdorimit të gjuhëve dhe kur kontakti midis gjuhëve dhe kulturave është më i madh se kurrë më parë”.
“Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut mbështet punën e institucioneve shkencore, përfshirë Institutin e gjuhës maqedonase ‘Kërste Misirkov’, si dhe të gjitha institucioneve të tjera shkencore, arsimore dhe kulturore që kontribuojnë në forcimin e identitetit kombëtar të popullit maqedonas dhe identiteteve të tjera që janë ndërtuar me shekuj në vendin tonë”, ka thënë Gashi.
