Grubi doli nga arresti shtëpiak, pritje me fishekëzjarre dhe tymuese

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Me fishekzjarre dhe tymuese mbrëmë në Çair të Shkupit është pritur Artan Grubi, i cili doli nga arresti shtëpiak pasi gjykata ia shfuqizoi masën.

Artan Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i parë në qeverinë e mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për dëm prej 9,7 milionë eurosh në kompaninë shtetërore. Gjyqësimi nisi më 24 gusht.

Nga Gjykata Penale njoftuan se vendimi për shfuqizimin e arrestit shtëpiak është marrë për shkak të kalimit të afatit ligjor të lejuar prej 60 ditësh, duke llogaritur nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës. Gjykata nuk ia pranoi garancinë e ofruar me kërkesën për t’i kthyer pasaportën.

Ai e ka të ndaluar gjithashtu largimin nga Shkupi gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor.

Në seancat gjyqësore, Grubi deklaroi se nuk ndihet fajtor.

Pas 14 muajsh arratisje në Kosovë, Grubi u dorëzua në Bllacë më 23 shkurt 2026 dhe, ndryshe nga praktika e deritanishme për të arratisurit nga drejtësia, nuk qëndroi në paraburgim, por pas disa orësh në burgun e Shutkës deklaroi se nuk ndihej i sigurt atje. Kështu, prokurori, operativë nga Agjencia për Siguri Kombëtare (ASK) dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si dhe gjyqtari i procedurës paraprake e nxorrën menjëherë nga burgu me propozim për masën e arrestit shtëpiak.

Për pajisjet e blera për lojërat e fatit në vlerë prej 9,7 milionë eurosh në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë në vitet 2023 dhe 2024, janë të akuzuar gjithsej tetë persona: ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami, ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Metodija Dimovski, si dhe ish-anëtarët e bordit mbikëqyrës të kësaj ndërmarrjeje shtetërore.

Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 4 dhe paragrafin 1, si dhe neni 22 i Kodit Penal, të cilat, siç pretendohet në propozim-akuzë, i kanë kryer gjatë viteve 2023 dhe 2024. Dënimi i paraparë për këto vepra penale është prej një deri në pesë vjet burgim.(INA)

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër