Mbyllja e kapitullit 20 të negociatave me BE-në, Rama: Tjetër ditë Shqipërie në Europë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Shqipëria shënoi dje një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi u mbyllën negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga zhvillimet e djeshme teksa e cilësoi “një tjetër ditë Shqipërie në BE”.

Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, theksoi se Shqipëria është një nga kryesuesit e progresit në procesin e integrimit.

“Falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare po mbyllim një tjetër kapitull negociues, kapitullin e 20 për sipërmarrjen dhe politikave industriale që ka të bëjë me ndihmën për bizneset shqiptare që të rriten, zhvillohen, konkurrojnë e të krijojnë më shumë vende pune”, tha Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Nga ana tjetër ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, theksoi në fjalën e tij se Shqipëria “vazhdon të bëjë progres”.

“Kjo vazhdimësi, ky progres i qëndrueshëm, është dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin tonë Evropian dhe vetëm mund ta inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë kështu në këtë drejtim, dhe ndërkohë do të publikohet edhe raporti i vitit 2026, dhe kjo do të jetë një mundësi për të bërë një inventar të arritjeve që janë bërë vitin e kaluar dhe do të identifikojmë ato fusha ku duhet punuar më tej për ta çuar Shqipërinë më pranë anëtarësimit në BE”, tha ai.

Kreu i qeverisë tha se “jemi të vetëdijshëm që progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur; këta janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, s’ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultatet e prekshme që janë arritur”.

Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër