Nipi i Dolly Parton mohon kërcënimet ndaj trashëgimisë së saj dhe kundërshton urdhrin e ndalimit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bryan Seaver, nipi i këngëtares Dolly Parton dhe ish-shefi i saj i sigurisë për shumë vite, ka mohuar akuzat për kërcënime ndaj trashëgimisë së artistes, duke kundërshtuar kërkesën që urdhri i përkohshëm i ndalimit ndaj tij të bëhet i përhershëm.

Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë në Tennessee, Seaver pretendon se mesazhet që menaxheri Danny Nozell ka përdorur si prova ishin pjesë e një bisede private mes dy miqsh, të cilët po përballeshin me emocione të forta dhe po diskutonin strategji.

Ai mohon se u ka dërguar kërcënime kompanive, partnerëve apo punonjësve të Dolly Parton.

Dolly

Mosmarrëveshja doli në publik pas vdekjes së këngëtares, më 25 gusht.

Kompania “She’s Alive”, e drejtuar nga Nozell për menaxhimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së artistes, ndërpreu bashkëpunimin me Seaverin dhe kompaninë e tij të sigurisë në fillim të shtatorit.

Një javë më vonë, kërkoi urdhër ndalimi, duke pretenduar se sjellja e tij ishte bërë kërcënuese.

Seaver pranon se mesazhet e tij për Nozellin përmbanin gjuhë të ashpër dhe vulgare, por këmbëngul se nuk ka kërcënuar apo frikësuar punonjësit e kompanisë Herschend Family Entertainment.

Ai pretendon se konflikti lidhet me një pagesë prej më shumë se 250 mijë dollarësh që kompania e tij kërkon për shërbimet e kryera për operatorin e Dollywood dhe hotelit Songteller.

Në një prej mesazheve të cituara në kërkesën për urdhër ndalimi, Seaver kishte kërcënuar se do të krijonte një podcast për të dëmtuar partneritetet e markave të Dolly Parton, nëse nuk paguhej.

Ai pretendon se deklarata lidhej vetëm me mosmarrëveshjen financiare.

Seaver ka kundërshtuar gjithashtu argumentet se përbën rrezik, duke paraqitur si dëshmi një letër të vitit 2024, në të cilën Dolly Parton vlerësonte atë dhe kompaninë e tij. Ai kishte qenë personi i zgjedhur nga këngëtarja për të njoftuar vdekjen e saj.

Të dyja palët pritet t’i paraqesin argumentet e tyre në seancën gjyqësore të 20 tetorit.

Ndërkohë, urdhri i përkohshëm ia ndalon Seaverit dhe kompanisë së tij të hyjnë në pronat e “She’s Alive”, të kontaktojnë punonjësit dhe partnerët e saj ose t’u afrohen atyre në një distancë më të vogël se 300 metra.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër