Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, në brifingun e sotëm me gazetarët theksoi se draft-DUP-i “Barutana” nuk do të vihet në rend dite të Këshillit derisa të gjendet zgjidhje e qëndrueshme ligjore dhe e pranueshme për të gjitha çështjet e hapura, veçanërisht për stabilitetin e terrenit dhe rrugën e qasjes.
„Qëndrimi im është i qartë. Derisa të gjejmë zgjidhje ligjore dhe të pranueshme për të gjitha çështjet e hapura, unë si kryetar nuk do të propozoj që ky draft-DUP të vihet në rend dite të Këshillit. Për Vodno duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm. Nuk mjafton vetëm të plotësohen procedurat formale, por duhet të jemi të sigurt se zgjidhjet janë të sigurta, ligjore dhe në interes të qytetarëve“, theksoi Gerasimovski.
Ai informoi se Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) ka dhënë mendim pozitiv për draft-DUP-in “Barutana”, duke konfirmuar se kushtet nga fusha e mbrojtjes dhe shpëtimit janë të integruara në dokumentacionin planifikues.
Mendime dhe vlerësime pozitive kanë dorëzuar edhe Komisioni për urbanizëm i Qytetit të Shkupit, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive, NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup, Sektori për ujëra dhe Sektori për natyrë pranë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia për Komunikime Elektronike, ESM-Ngrohtësia, Agjencia për Aviacion Civil, Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, SHA “Ujërat” dhe Ministria e Punëve të Brendshme.
Gerasimovski theksoi se mendimet pozitive të institucioneve nuk nënkuptojnë miratim automatik të draft-DUP-it, as që me to përfundon procedura.
„Mendimet e institucioneve janë të rëndësishme, por për mua është po aq e rëndësishme të largojmë të gjitha dyshimet rreth stabilitetit të terrenit. Prandaj, përveç analizave që tashmë i kemi, do t’i kërkojmë shtëpisë planifikuese të porosisë një studim të veçantë nga Fakulteti i Ndërtimtarisë për vlerësimin e rrezikut nga erozioni, rrëshqitjet dhe paqëndrueshmëria e shpatit. Dua të kemi një pasqyrë të qartë dhe të plotë profesionale para se të merren vendime përfundimtare“, tha Gerasimovski.
Në fund, Gerasimovski potencoi edhe një herë se Komuna ka detyrim ligjor ta udhëheqë procedurën për draft-DUP-in “Barutana”, por kjo nuk do të thotë se plani duhet të miratohet.
„Kemi detyrim ligjor ta udhëheqim procedurën, por kjo nuk do të thotë se draft-DUP-i duhet të miratohet me çdo kusht. Do t’i shqyrtojmë të gjitha vërejtjet, do të bëjmë analizat shtesë të nevojshme dhe do të kërkojmë zgjidhje që nuk do ta vërë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve. Derisa të sqarojmë këto çështje, nuk do të propozoj që draft-DUP-i ‘Barutana’ të vihet në rend dite të Këshillit“, porositi Gerasimovski.
