Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestës së studentëve, duke i cilësuar këto momente si historike.
Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se “dhunës barbare” të qeverisë, studentët e universitetit të Tiranës iu përgjigjën me “grevë të përgjithshme”.
Sipas tij, lëvizjes i janë bashkuar edhe universitete të tjera në vend, përfshirë ato në Elbasan, Vlorë, Shkodër, Durrës dhe Korçë.
Berisha përmendi gjithashtu reagimin e gjimnazistëve të shkollës “Partizani” dhe nxënësve të tjerë që kanë braktisur mësimin për t’iu bashkuar protestës.
Kreu i PD-së tha se disa demonstrues ndodhen në spitale dhe kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
“Sot dhjetëra mijëra studentë dhe qytetarë në mbështetje të tyre e avancuan nga ora 2 në ora 10 të mëngjesit, kanë mbushur Rrugën e Durrësit dhe po qëndrojnë me një vendosmëri epike. Janë në spitale disa demonstrues që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, tha ai.
Berisha theksoi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestën studentore me të gjitha kapacitetet e saj.
“U bëj thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve të lënë çdo gjë dhe të bashkohen në këto momente historike për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre”, deklaroi Berisha.
Berisha gjithashtu paralajmëroi se “në mënyrë absolute do mbahen qëndrimet më të rrepta ndaj mercenarëve që kërkojnë të trysnojnë nxënësit apo studentët duke zbatuar urdhrat e regjimit. Para studentëve dhe nxënësve është historia”.
Berisha në përfundim të deklaratës kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama ndërsa e cilësoi “rrugën e vetme për zgjidhjen më të shpejtë dhe më pak të dhimbshme të krizës së thellë në të cilën e ka zhytur vendin”.
“Largimi i tij i menjëhershëm, krijimi i një qeverie që çon vendin drejt zgjedhjeve të lira është kusht i të gjitha kushteve që vendi të dalë nga kriza”, tha Berisha.
