Mickoski: Çmimi i rrymës mbetet i njëjtë deri në fund të vitit, do të luftojmë të mos ketë rritje

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Çmimi i energjisë elektrike deri në fund të vitit do të mbetet i njëjtë, ndërsa Qeveria do të luftojë që ai të mos ndryshojë edhe pas 1 janarit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve pas hapjes së shkollës fillore të re në lagjen Çento të Shkupit, kryeministri theksoi përkushtimin për ruajtjen e stabilitetit energjetik.

„Prioritet i kësaj Qeverie është të ruajë stabilitetin energjetik. Ne këtë e bëjmë në kushte të krizës më të madhe energjetike që njerëzimi e mban mend. Kudo në rajon dhe në Evropë çmimet e energjisë thyejnë rekorde. Tashmë kemi shtete në Evropë, ku çmimi i dizelit dhe i benzinës pa plumb është më i madh se 3 euro për litër. Ne ende jemi nën 1,6 euro për litër falë politikave të Qeverisë. Në këtë drejtim planifikojmë të vazhdojmë edhe kur bëhet fjalë për energjinë elektrike. Luftojmë dhe ajo që është prioriteti ynë është të mbetet çmimi i njëjtë, të mos ketë rritje. Këtë në fakt e bëjmë në tre periudha rregullatore. AD ESM nuk është e vetmja që kërkon nivelim të çmimeve, këtu janë edhe disa kompani të tjera, këtu është operatori, këtu është distributori, kjo është kompania private EVN. Ndoshta duhet edhe ata t’i pyesni si do të sillen“, deklaroi Mickoski.

Kryeministri nuk u pajtua me qëndrimin se çmimi i energjisë elektrike varet ekskluzivisht nga AD ESM dhe u përgjigj se nuk do të ofrohet çmim më i ulët se 65 euro.

„Jo, në këto kushte siç janë sot në bursat edhe 65 është trefish më e ulët se ajo që e paguajnë në fqinjësi dhe qytetarët në Evropë“, theksoi ai.

Mickoski përsëriti se çmimi nuk do të ndryshojë deri në dhjetor, ndërsa për vendimet që do të vlejnë nga fillimi i vitit të ardhshëm i theksoi të gjithë faktorët në sektorin energjetik.

„Nga 1 janari të presim çfarë do të thonë kompanitë energjetike, pastaj do të shohim. Unë nuk mund ta paragjykoj vendimin e Komisionit Rregullator“, shtoi kryeministri.

Njëkohësisht, ai konfirmoi se Qeveria për momentin nuk planifikon ndryshime në blloqet tarifore për energjinë elektrike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër