Shkup, 16 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me ministren e arsimit, kryetarin e Komunës Gazi Babë, deputetë, këshilltarë dhe banorë, mori pjesë në hapjen zyrtare të objektit të ri të shkollës fillore “Krste Petkov Misirkov” në lagjen Çento.
Në fjalimin e tij, kryeministri shprehu kënaqësi për realizimin e këtij projekti, duke theksuar se me të zëvendësohen objektet e vjetruara prej dekadash me kushte bashkëkohore për nxënësit.
„Mirëdita edhe nga unë. Këto janë momente kur gjithçka që e nisni e shihni si merr formë dhe përmbajtje. Dhe vërtet për mua paraqet kënaqësi që së bashku me kryetarin e komunës, me ministren, me deputetët, me qytetarët, këshilltarët e Komunës Gazi Babë të jemi të pranishëm këtu dhe ta hapim këtë objekt që e nisëm“, deklaroi Mickoski.
Ai bëri krahasim me gjendjen e mëparshme në të cilën nxënësit ndiqnin mësimin për dekada.
„Është i rëndësishëm edhe më shumë sepse deri para disa vitesh këtu ekzistonin vetëm baraka të lëna nga koha e tërmetit, praktikisht, 50 e më shumë vite, fëmijët mësonin në kushte do të thosha nën standard, ndryshe nga ajo që sot mund ta shihni, vërtet kushte evropiane. Tani mbetet vetëm që kjo të mirëmbahen dhe të ruhet“, theksoi kryeministri.
Duke folur për investimet qeveritare, Mickoski nënvizoi se mbështetja për komunat vazhdon përmes shpërndarjes së mjeteve nga buxheti qendror.
„Ne vazhdojmë edhe më tej të ndërtojmë, ajo që e bën kjo Qeveri janë më shumë se 1.200 projekte që i realizojmë së bashku me komunat si rezultat i decentralizimit të mjeteve nga buxheti qendror drejt komunave. Dhe ky është prioriteti ynë dhe kështu edhe më tej do të vazhdojmë si Qeveri të funksionojmë“, tha ai.
Mickoski shprehu falënderim ndaj udhëheqjes lokale, kolegëve nga Qeveria dhe banorëve të lagjes për durimin e tyre.
„Falënderim i madh nga ana ime për kryetarin e komunës Gazi Babë, për këshilltarët që e mbështesin punën e kryetarit, për deputetët në kuvendin maqedonas. Gjithashtu falënderim i madh për kolegët nga qeveria, për ministrinë e arsimit dhe falënderim më i madh për banorët e Çentos, Gazi Babë që patën durim dhe që sot mund të shihja shumë fytyra të lumtura dhe të gëzuara. Supozoj se një pjesë e madhe prej tyre këtu e kanë formuar arsimin e tyre, tani janë prindër fëmijët e të cilëve këtu e formojnë arsimin fillor në kushte shumë më të mira se ato kur ata e formonin arsimin e tyre fillor“, deklaroi Mickoski.
Në fund, ai theksoi se mbeten edhe disa përfundime finale për rregullimin e plotë të hapësirës rreth shkollës.
„Kështu që edhe njëherë le të jetë me fat dhe edhe shumë objekte të tilla të hapim. Mbeten edhe disa detaje, në pranverë të gjelbërohet, të ndërrohet gardhi, ndoshta parkingu për të punësuarit, por edhe kjo do të përfundojë sepse besoj në punën e kryetarit“, përfundoi Mickoski.
