Sadushi i dorëzon detyrën kryetarit të Gjykatës së Lartë Ilir Panda

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 tetor, Zhurnal.mk – Në një ceremoni të zhvilluar sot në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, Sokol Sadushi i dorëzoi zyrtarisht detyrën kryetarit të sapo zgjedhur të Gjykatës së Lartë Ilir Panda. Në këtë moment të rëndësishëm institucional morën pjesë gjyqtarët e trupës, këshilltarët ligjorë si dhe punonjësit e administratës.

Ceremonia shënoi përmbylljen e një periudhe gjashtëvjeçare të drejtimit nga Sadushi, gjatë së cilës institucioni u përball me sfida të mëdha, si uljen e stokut të dosjeve, rritjen e cilësisë së vendimeve dhe forcimin e transparencës me publikun.

Në fjalën e tij, Sadushi falënderoi ekipin për përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve, duke kujtuar fillimet me vetëm një gjyqtar e mijëra dosje në pritje. Duke konfirmuar se do të vijojë kontributin e tij pranë këtij institucioni si gjyqtar, ai u shpreh:

“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, kryetari i ri, Ilir Panda, e cilësoi marrjen e detyrës si një angazhim të lartë ndaj Kushtetutës dhe qytetarëve, duke vlerësuar punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë. Ai nënvizoi se besimi i publikut ndërtohet përmes standardeve të larta dhe punës së përditshme, duke theksuar:

“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale”, tha ai.

Kalimi i detyrës shënon vazhdimësinë e punës institucionale për garantimin e një drejtësie cilësore, të paanshme dhe të besueshme për të gjithë qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër