Tetovë, 16 tetor Zhurnal.mk – Shefi i Shtabit qendror zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi në tubimin përmbyllës në Bërvenicë, ka deklaruar se VLEN pret të shënojë fitoren e 11-të radhazi në zgjedhjet lokale të së dielës.
Azizi u shpreh se VLEN-i para qytetarëve del me bindjen se do të triumfojë në këtë garë, ndërsa për opozitën tha se ka pësuar humbje të madhe në zgjedhjet lokale dhe se sipas tij, pas përfundimit të procesit zgjedhor do të përballet me shpërbërje dhe turpin politik.
Duke komentuar paraqitjet publike të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, Azizi përdori tone kritike duke i cilësuar ato si gabime politike.
“Ne akoma pa hyrë në lojë, ata japin autogola. Dy paraqitjet e Ali Ahmetit, dy autogola”, deklaroi Azizi.
Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e Ahmetit lidhur me çështjet fetare, duke vënë në pikëpyetje mesazhet e tij dhe duke e akuzuar për mungesë sinqeriteti dhe përpjekje për manipulim të opinionit publik.
“Njëri më tha pse hyn ai në këto tema, sepse nuk është terreni i atij; unë i thash kur je hipokrit, nuk je i sinqertë dhe do të manipulosh i madhi Zot të korit ditën e pazarit. Nuk e di kush e çoj të hyj në temën e fesë duke thënë se kemi qenë ortodoks, jemi bërë mysliman dhe duke dashur ta ndreqë rrëshqiti edhe më keq, unë tha nuk shkoj në xhami me kamera, po ti në kishë me Vuçiqin në kamera, pastaj e shpreh shehadetin e Lëvizjes së Tim Shkupit para kamerave…”, tha Azizi.
