Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Anisa Ruseti, deklaroi sot se situata gjatë protestës në Tiranë është nën kontroll, pavarësisht akteve të dhunës dhe sulmit ndaj Gjykatës së Apelit.
Ajo u ka bërë thirrje të rinjve të largohen nga dhuna, ndërsa ka paralajmëruar se shkeljet e ligjit mund të sjellin përgjegjësi penale, edhe për të miturit, në përputhje me moshën dhe veprën e kryer, raporton tch, përcjell KosovaPress.
Në një deklaratë, Ruseti theksoi se Policia e Shtetit vijon detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ndërsa nënvizoi se e drejta për të protestuar nuk i përjashton individët nga përgjegjësia për veprime të dhunshme.
“Situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Megjithatë, disa të rinj vijojnë të përfshihen në veprime të dhunshme. Për këtë arsye, sot u drejtohemi atyre dhe familjeve të tyre me një mesazh të qartë mbi pasojat ligjore të këtyre veprimeve. Ushtrimi i së drejtës për të protestuar nuk i përjashton ata nga përgjegjësia individuale për dhunën ndaj qytetarëve dhe punonjësve të policisë, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike apo private, zjarrvënien, vjedhjen apo mbajtjen e paligjshme të armëve dhe mjeteve shpërthyese”, tha Ruseti.
Ajo ka përkujtuar se sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14-vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16-vjeç.
“Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë. Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë”.
Ruseti u ka bërë thirrje të rinjve të heqin dorë nga dhuna dhe të protestojnë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi.
