Forumi rajonal në Shkup: Përmes përfshirjes së të rinjve drejt komuniteteve lokale më të sigurta, më të avancuara dhe më të qëndrueshme

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Përmes veprimit lokal drejt ndryshimeve rajonale, përmes përfshirjes aktive të të rinjve drejt ndërtimit të komuniteteve lokale më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Mbi 100 kryetarë komunash, liderë të rinj, aktivistë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe organizatave ndërkombëtare po marrin pjesë në Forumin Rajonal për Udhëheqje Lokale për Rininë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Shkup.

Një nga mesazhet kyçe të forumit është se zëri i të rinjve në vendin ku jetojnë nuk duhet të reduktohet vetëm në konsultime dhe përfshirje të herëpashershme në aktivitete të caktuara komunale. Nevojiten këshilla funksionale rinore, mbështetje më e madhe për iniciativat rinore, mjete adekuate në buxhetet komunale dhe mekanizma që do t’u mundësojnë të rinjve të marrin pjesë aktivisht në krijimin e politikave lokale.

Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe njëherësh kryetar i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, porositi se fokusi i përbashkët në rajon duhet të jetë krijimi i mjediseve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për të rinjtë.

“Çështja e shpërnguljes së të rinjve është një sfidë serioze për ne. Gjendje e ngjashme është në të gjithë rajonin, madje edhe më gjerë, dhe vërtet duhet të përpiqemi sinqerisht të bëjmë gjithçka që është e mundur që ky trend të ndalet, madje edhe të kthehet në drejtim të kundërt. Nëse duam që të rinjtë ta shohin të ardhmen në shtetin e tyre, duhet të krijojmë kushte dhe mundësi të barabarta në të gjithë vendin për arsim cilësor, kulturë, sport, punësim, strehim dhe krijimin e familjes”, tha Gjorgjievski.

Bashkëpunimi ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, por edhe ndërtimi i partneriteteve rajonale përmes shkëmbimit të përvojave dhe iniciativave të përbashkëta, mund të kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e politikave rinore.

“Të rinjtë nuk duhet të jenë vetëm temë e politikave tona, por partnerë aktivë në krijimin e tyre. Republika e Maqedonisë së Veriut ka një kornizë ligjore për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore. Sfida jonë është zbatimi i saj i qëndrueshëm, veçanërisht në nivel lokal. Pikërisht për këtë arsye, komunat kanë rol kyç. Këshillat rinore, zyrtarët për të rinjtë dhe politikat lokale duhet të funksionojnë në praktikë, me aktivitete konkrete dhe mbështetje adekuate buxhetore”, theksoi Gjoko Velkovski, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër