Ministri Durmishi nga Tetova: Të rinjve duhet t’u krijojmë mundësi reale për punësim dhe zhvillim profesional

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 tetor, Zhurnal.mk – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në panelin “Kapërcimi i hendekut: nga arsimi në punësim”, theksoi rëndësinë e krijimit të mundësive konkrete për të rinjtë, duke e cilësuar lidhjen ndërmjet arsimit dhe tregut të punës si një nga prioritetet kryesore të politikave të punësimit.

Durmishi theksoi se përmes Planit Operativ për vitin 2026 parashikohet mbështetje për mbi 10.000 qytetarë, me fokus të veçantë te të rinjtë e papunë deri në moshën 29-vjeçare, përmes granteve për vetëpunësim, punësimit të subvencionuar, praktikës profesionale dhe trajnimeve për profesione deficitare.

“Detyra jonë është të ndihmojmë të riun të bëjë hapin më të vështirë – të ketë mundësinë e parë për të zbatuar njohuritë dhe për të përvetësuar përvojë”, theksoi ministri Durmishi.

Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve, institucioneve dhe sektorit privat është thelbësor për të përgatitur kuadro që u përgjigjen nevojave reale të ekonomisë.

Në këtë drejtim, Durmishi propozoi edhe iniciativën “Mundësia e parë profesionale në Pollog”, e cila synon të lidhë universitetet, kompanitë dhe institucionet për t’u ofruar të rinjve mundësi për praktikë, trajnim, punësim dhe zhvillim të ideve të biznesit.

Ministri Durmishi theksoi se suksesi i politikave ekonomike dhe të punësimit duhet të matet me mundësitë reale që u krijohen të rinjve për të avancuar profesionalisht dhe për ta ndërtuar të ardhmen në vend.

“Rezultati i vërtetë është një i ri që ka marrë mundësi cilësore, përparon në profesionin e tij dhe sheh perspektivën për ta ndërtuar të ardhmen e tij këtu”, u shpreh Durmishi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër