Shkup, 21 tetor Zhurnal.mk – Shkupi do të dekorohet për festat e Vitit të Ri me një bredh 13 metra të lartë, figura dekorative dhe qindra zbukurime me drita. Për dekorimin e qytetit janë paraparë rreth 70 mijë euro, ndërsa të gjitha punimet duhet të përfundojnë deri më 15 dhjetor.
Në sheshin e qytetit do të vendoset bredhi kryesor, ndërsa mes zbukurimeve të tjera do të ketë një dre dekorativ katër metra të lartë, me një element zbukurues në formë kallami karameleje dhe efekte dinamike të dritave LED në ngjyrë të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë.
Gjithashtu, do të vendoset një figurë dhurate mbi gjashtë metra e lartë, dy portale dekorative dydimensionale dhe një slitë tredimensionale me dhurata, rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë, ku qytetarët do të mund të hyjnë dhe të fotografohen.
Dekorimet do të përfshijnë edhe dy balona tredimensionale, secila 3,5 metra e lartë, një figurë të Babagjyshit të Vitit të Ri, rreth 100 buqeta me drita LED dhe një kurorë festive të gjelbër me shkëlqim, e cila do të shërbejë si vend për fotografi.
Përveç këtyre elementeve, do të vendosen edhe ndriçime dekorative në shtyllat e ndriçimit publik, si dhe drita në formë akulli.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë nuk janë përcaktuar paraprakisht lokacionet ku do të vendosen të gjitha dekorimet. Kompania që do të përzgjidhet për realizimin e projektit do ta marrë urdhrin e punës, pas së cilës do të përcaktohen detajet e vendosjes së zbukurimeve.
Vitin e kaluar, dekorimin e Shkupit e realizoi kompania „Link Media Plus“, me të njëjtën vlerë të kontratës.
