Jurgen Klopp ka rrëfyer se ende nuk ka arritur ta përballojë vdekjen e Diogo Jotas, duke zbuluar tronditjen e thellë që përjetoi kur mësoi se sulmuesi portugez i Liverpoolit kishte humbur jetën në moshën 28-vjeçare, në një aksident trafiku së bashku me vëllain e tij, Andre Silvan.
Jota ndërroi jetë teksa po voziste makinën e tij “Lamborghini”, ndërsa njëra nga gomat shpërtheu kur ishte mbi 180 km për orë.
Në biografinë e re “Diogo Jota: Forever In Our Hearts”, ish-trajneri i Liverpoolit ka kujtuar edhe mënyrën se si kishte këmbëngulur për transferimin e portugezit nga Wolves në vitin 2020.
“Menjëherë mendova: ‘E dua këtë lojtar’”, ka deklaruar Klopp, duke shpjeguar se vendimi i tij ishte bazuar në intuitë.
Gjermani vlerësoi fleksibilitetin, mentalitetin dhe aftësitë teknike të Jotas, duke treguar pse besonte se sulmuesi ishte lojtari i duhur për Liverpoolin. Portugezi arriti të fitojë trofe të rëndësishëm me klubin, përfshirë titullin e Ligës Premier në vitin 2025.
Megjithatë, Klopp pranoi se të flasë për vdekjen e ish-lojtarit të tij mbetet jashtëzakonisht e dhimbshme dhe se ende nuk ka arritur ta përpunojë plotësisht këtë tragjedi.
“Duhet ta pranoj se, edhe sot e kësaj dite, ende nuk kam arritur ta përballoj vërtet këtë”, u shpreh ish-trajneri i Liverpoolit.

