Lubljanë, 22 tetor Zhurnal.mk – Projektndryshimet e Ligjit për të Huajt në Slloveni parashikojnë kushte më të rrepta për qëndrim, bashkim familjar dhe njohjen e gjuhës sllovene. Sipas ndryshimeve të propozuara, do të hiqet mundësia e ndjekjes falas të kurseve të gjuhës sllovene për të huajt, ndërsa do të vendoset bashkëfinancim prej 40 për qind nga ana e tyre. Në të njëjtën kohë, do të rritet niveli i kërkuar i njohjes së gjuhës sllovene, raportojnë mediat sllovene.
Për vazhdimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm për shkak të bashkimit familjar, do të kërkohet njohja e gjuhës në nivelin bazë A2, ndërsa për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm do të kërkohet niveli B1, në vend të nivelit aktual A2.
Projektligji parashikon gjithashtu zgjatjen e periudhës pas së cilës një i huaj mund ta realizojë të drejtën për bashkim me familjen e tij, nga një vit në tre vjet.
Do të ashpërsohet edhe kushti i përgjithshëm për sigurimin e mjeteve të mjaftueshme për jetesë për shtetasit e vendeve të treta. Shuma e kërkuar do të rritet nga vlera bazë e të ardhurave minimale prej 507,43 eurosh në 1,4 herë më shumë, përkatësisht në 710,40 euro. Gjatë debatit publik, kjo shumë u propozua gjithashtu të caktohej në dyfishin e vlerës bazë të të ardhurave minimale, pra në 1.014,86 euro.
Propozimet kanë shkaktuar reagime nga sindikatat dhe organizatat joqeveritare, të cilat i konsiderojnë ato si përpjekje për të dëbuar familjet e punëtorëve dhe për ta vështirësuar integrimin e punëtorëve të huaj. Shqetësim ka shprehur edhe një pjesë e sektorit ekonomik, e cila druhet se në këtë mënyrë Sllovenia mund të bëhet më pak tërheqëse për punëtorët e huaj.
Qeveria ka përgatitur edhe projektndryshime të Ligjit për Punësimin, Vetëpunësimin dhe Punën e të Huajve. Ndër të tjera, synohet të mundësohet punësimi i të huajve përmes agjencive, të detyrohen ata të qëndrojnë të lidhur me punëdhënësin e parë për gjashtë muaj dhe të zbuten pasojat e disa shkeljeve të rregullave të punësimit.
Këto zgjidhje, të harmonizuara në nivel të Këshillit Ekonomik dhe Social, janë kritikuar nga një pjesë e opinionit publik, e cila vlerëson se ato mund ta thellojnë shfrytëzimin e punëtorëve të huaj.
