Mexhiti: Në Serbi fitoi ndryshimi, bashkimi i shqiptarëve të Luginës siguroi të paktën dy mandate

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 tetor – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar zhvillimet politike në Serbi, duke vlerësuar se rezultatet e zgjedhjeve shënojnë një moment të rëndësishëm për ndryshimin politik në vend dhe për përfaqësimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përcjell Zhurnal.mk.

Në reagimin e tij në rrjetin social fejsbuk, Mexhiti ka shkruar se pushteti i Aleksandar Vuçiqit është dobësuar dhe se kjo paraqet një goditje për modelin e qeverisjes që ai e cilëson autokratik.

“Pas 14 vitesh në pushtet, me kontroll pothuajse absolut mbi institucionet dhe jetën politike, Aleksandar Vuçiq sot pësoi një debakël të vërtetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka shkruar Mexhiti.

Sipas tij, kontrolli mbi mediat, presioni ndaj kundërshtarëve politikë dhe ndikimi mbi institucionet nuk mund ta bëjnë një pushtet të përjetshëm. Ai thekson se demokracia mbështetet në rotacionin politik dhe llogaridhënien, ndërsa politikanët janë përfaqësues të qytetarëve dhe jo pronarë të shtetit.

Mexhiti e sheh këtë zhvillim edhe si një mundësi që Serbia të shkëputet nga trashëgimia politike e Sllobodan Millosheviqit dhe nga nacionalizmi që, sipas tij, ka shkaktuar konflikte dhe pasoja të rënda në Ballkan.

Mexhiti kritikon projektin “Open Balkan”

Bashkëkryetari i VLEN-it u ndal edhe te iniciativa “Open Balkan”, duke vlerësuar se dobësimi i dominimit politik të Vuçiqit mund të ndikojë edhe në të ardhmen e këtij projekti rajonal.

Sipas Mexhitit, iniciativa, përtej premtimeve për bashkëpunim ekonomik, është perceptuar nga një pjesë e opinionit si një mekanizëm që mund të forconte ndikimin politik dhe ekonomik të Serbisë në rajon.

Ai thekson se ndryshimet politike në Serbi mund të krijojnë hapësirë për një model të ri të bashkëpunimit rajonal, të bazuar në partneritet, reciprocitet dhe barazi ndërmjet shteteve sovrane.

“Ballkani i hapur duhet të jetë një Ballkan i barabartë, jo një rajon nën hijen e ambicieve dominuese të askujt”, ka deklaruar Mexhiti.

Bashkimi i shqiptarëve të Luginës, mesazh për të ardhmen

Duke folur për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Mexhiti vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet forcave politike shqiptare ka mundësuar sigurimin e të paktën dy mandateve në Parlamentin e ri të Serbisë.

Sipas tij, ky rezultat dëshmon rëndësinë e bashkimit politik dhe të veprimit të përbashkët për forcimin e përfaqësimit shqiptar në institucionet e Serbisë.

“Kjo është rruga që na çon përpara si komb: bashkimi i forcave, bashkëpunimi dhe veprimi i përbashkët!”, përfundon reagimi i bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër