Shkup, 26 tetor , Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Milica Gjurgjeviq Stamenkovski në Zebërnjak, ku beteja e Kumanovës është paraqitur si përmbushje e të ashtuquajturit “betim i Kosovës”, duke i cilësuar ato si provokim politik dhe përpjekje për promovimin e narrativave nacionaliste serbe në Maqedoninë e Veriut.
Në reagimin e saj, VLEN kërkon që politika zyrtare e Beogradit të heqë dorë nga, siç e cilëson, mendësia hegjemoniste, të cilën e lidh me konfliktet dhe viktimat e shumta në Ballkan, si dhe me destabilitetin e vazhdueshëm në rajon.
“Politika zyrtare e Beogradit duhet njëherë e mirë të heqë dorë nga mendësia hegjemoniste. Kjo është e njëjta mendësi që ka shkaktuar katër luftëra dhe qindra mijëra viktima në Ballkan dhe destabilitet të vazhdueshëm në rajon”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
VLEN shpreh shqetësim edhe për pjesëmarrjen e ministrit Ivan Stoilkoviq në manifestimin në Zebërnjak, duke e akuzuar atë se, në vend që të mbrojë interesat dhe dinjitetin e shtetit ku ushtron detyrën, bëhet pjesë e aktiviteteve që, sipas VLEN-it, promovojnë agjenda nacionaliste të një shteti tjetër.
“Maqedonia e Veriut nuk do të jetë kurrë platformë për pretendime historike e politike të Serbisë!”, theksohet në reagim.
VLEN kundërshton çdo përpjekje për përdorimin e historisë si instrument të nacionalizmit dhe paralajmëron se nuk do të heshtë përballë, siç i cilëson, provokimeve të tilla.
“Nuk do të lejojmë që shteti ynë të shndërrohet në skenë për projekte nacionaliste që i përkasin të kaluarës”, përfundon reagimi i VLEN.
