Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Projektligji për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, si dhe krijimin e një kuadri të qartë ligjor për operacionet ndërkufitare të bizneseve.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, prezantoi sot nismën në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku u shpreh se, projektligji lidhet me përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit europian në kuadër të Kapitullit 6, “E drejta e shoqërive tregtare”, dhe synon transpozimin e Direktivës (BE) 2019/2121, e cila ndryshon rregullat europiane për shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është mbrojtja proporcionale e interesave të ortakëve dhe aksionarëve, kreditorëve dhe punëmarrësve të shoqërive të përfshira në këto operacione.
Projektligji parashikon mekanizma mbrojtës, përfshirë të drejtën e ortakëve dhe aksionarëve për të kundërshtuar operacionet ose për t’u tërhequr në kushtet e përcaktuara nga ligji, kundrejt kompensimit të drejtë.
Gjithashtu, parashikohen garanci për kreditorët, përfshirë mundësinë e kërkimit të garancive dhe të kundërshtimit gjyqësor, si dhe përfshirja e punëmarrësve në proceset vendimmarrëse.
Musabelliu theksoi se për herë të parë krijohet një kuadër i plotë ligjor për shndërrimet, bashkimet dhe ndarjet ndërkufitare ndërmjet shoqërive shqiptare dhe atyre të Bashkimit Europian ose të Zonës Ekonomike Europiane.
Projektligji përcakton procedura për përgatitjen, publikimin dhe miratimin e këtyre operacioneve, duke garantuar transparencë për palët e përfshira.
Ai parashikon gjithashtu raportim pranë organeve drejtuese, verifikim të pavarur nga ekspertë të licencuar dhe kontroll të ligjshmërisë nga noterë të autorizuar.
Sipas zëvendësministrit, zbatimi i rregullave të njëjta me ato të vendeve të BE-së pritet të krijojë mundësi të reja për investitorët vendas dhe të huaj, duke garantuar vazhdimësinë e kontratave, të drejtave dhe detyrimeve edhe pas realizimit të operacioneve ndërkufitare.
Një tjetër element i rëndësishëm është digjitalizimi i procedurave dhe shërbimeve, përmes përdorimit të mjeteve elektronike dhe ndërlidhjes së sistemit shqiptar të regjistrimit të biznesit me sistemin europian BRIS.
Kjo pritet të ndihmojë në uljen e kostove administrative, përshpejtimin e procedurave dhe rritjen e transparencës mes autoriteteve dhe bizneseve.
Musabelliu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave kundër abuzimit dhe të rolit të ekspertëve ligjorë e noterëve të autorizuar për garantimin e ligjshmërisë së procesit.
Zëvendësministri u kërkoi deputetëve të mbështesin miratimin e projektligjit, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian.
