Haxhiu e zgjodhi Maqedoninë e Veriut për vizitën e saj të parë zyrtare si kryetare e Kuvendit të Kosovës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vend. Në takim morën pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, kryetarja e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Kosovës, Imrlie Saliu-Fetai, si dhe sekretarja e përgjithshme, Marina Dimovska.

Kryetari Afrim Gashi shprehu kënaqësi për realizimin e vizitës zyrtare të Albulena Haxhiut, duke theksuar se ajo paraqet konfirmim të përkushtimit të ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Ai theksoi se bashkëpunimi parlamentar ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës karakterizohet nga një dinamikë intensive dhe shprehu bindjen se ky trend do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gashi nënvizoi se të dyja vendet ndajnë një vizion të përbashkët për një rajon paqësor, stabil, të sigurt dhe ekonomikisht të zhvilluar, të integruar në strukturat euroatlantike. Në këtë drejtim, ai vlerësoi si të rëndësishëm vazhdimin e dialogut të hapur dhe koordinimin për çështjet me rëndësi rajonale.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u angazhua për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet dy kuvendeve dhe theksoi se kjo është vizita e saj e parë zyrtare në një shtet të huaj si kryetare e Kuvendit, gjë që përbën një dëshmi të fortë të rëndësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet dy shteteve mike.

Ajo shprehu mirënjohje që Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht mban një qëndrim afirmativ ndaj anëtarësimit të Republikës së Kosovës në të gjitha organizatat dhe nismat multilaterale dhe rajonale.

Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin e integrimeve evropiane, me ç’rast bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i ndërsjellë duhet të fokusohet në krijimin e kushteve për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjithë rajonit, bazuar në meritat, përmbushjen e kritereve dhe zbatimin konsekuent të reformave.

Gashi dhe Haxhiu theksuan se do të vazhdojnë të inkurajojnë kontaktet ndërmjet qytetarëve, të rinjve, komuniteteve akademike dhe subjekteve të biznesit, pasi këto kontakte përbëjnë bazë të rëndësishme për miqësi dhe partneritet afatgjatë.

Dy kryetarët e kuvendeve shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në botë, duke theksuar nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet.

Në fund të takimit, Gashi dhe Haxhiu shprehën bindjen se kjo vizitë do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të besimit të ndërsjellë dhe në identifikimin e mundësive konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër