Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Programi Kombëtar për Punë Dinjitoze 2026–2030 parashikon reforma në tregun e punës, avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë dhe gratë. Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë nënshkrimit të programit, theksoi se synimi është krijimi i vendeve të punës më cilësore dhe më të sigurta, me paga të drejta dhe mundësi për zhvillim profesional në vend.
Ai vuri në dukje se ndër sfidat kryesore janë mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, emigrimi i të rinjve dhe mospërputhja ndërmjet arsimit dhe nevojave të ekonomisë.
“Ne nuk duam që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut. Duam që këtu ta marrin mundësinë e tyre të parë, të ndërtojnë karrierë dhe t’i realizojnë ambiciet e tyre. Duhet të krijojmë edhe më shumë mundësi për fuqizimin ekonomik të grave dhe për pjesëmarrje më të madhe të tyre në tregun e punës”, tha Mickoski.
Programi, i hartuar në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ONP) dhe partnerët socialë, parashikon reforma në legjislacionin e punës, modernizimin e institucioneve, forcimin e mbikëqyrjes inspektuese dhe zhvillimin e aftësive sipas nevojave të tregut. Janë paraparë edhe masa për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritjen e produktivitetit dhe zvogëlimin e ekonomisë joformale.
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, theksoi se prioritetet janë avancimi i të drejtave të punëtorëve, zhvillimi i aftësive dhe përfshirja më e madhe e të rinjve dhe grave. Ai theksoi se suksesi i programit do të matet përmes përmirësimeve konkrete që do t’i ndiejnë punëtorët dhe kompanitë.
Drejtoresha e ONP-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, Claire Harasty, theksoi se bashkëpunimi i përbashkët është kyç për krijimin e vendeve të punës më cilësore dhe për një treg pune më të qëndrueshëm.
“Me punë të përbashkët mund të krijojmë vende pune cilësore, të forcojmë institucionet e tregut të punës dhe të mbështesim zhvillimin e ndërmarrjeve të qëndrueshme”, deklaroi Harasty.
Programi është në përputhje me Kornizën e Kombeve të Bashkuara për Bashkëpunim për Zhvillim të Qëndrueshëm 2026–2030 dhe lidh reformat e tregut të punës me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian.
Mickoski porositi se zbatimi i programit duhet të sjellë rezultate konkrete për qytetarët, më shumë siguri për punëtorët dhe më shumë mundësi për të rinjtë dhe gratë.
