Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes shqyrtoi sot projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 34/2019, ‘Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara’, të ndryshuar”.
Zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, gjatë prezantimit të projektligjit, u shpreh se ndryshimet synojnë zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit, duke përfshirë në procesin e administrimit edhe pasuritë që sekuestrohen ose konfiskohen me vendime të organeve administrative të pushtetit qendror dhe vendor, përfshirë ndërtimet pa leje.
Ai theksoi se nisma synon t’i përgjigjet rritjes së numrit të vendimeve për sekuestrim e konfiskim, si dhe nevojës për të përmirësuar administrimin e pasurive, përfshirë asetet në formën e kriptomonedhave.
Sipas Qefalisë, objektivi kryesor është garantimi i një administrimi dhe përdorimi sa më efikas të pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në mënyrë që ato të shërbejnë në funksion të interesit publik.
Projektligji synon gjithashtu të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe të mundësojë përdorimin e pasurive për qëllime sociale dhe institucionale.
Në këtë kuadër, parashikohet përmirësimi i bashkëpunimit dhe bashkërendimit të procedurave të sekuestrimit dhe konfiskimit ndërmjet organeve të drejtësisë dhe institucioneve administrative të pushtetit qendror e vendor.
Një tjetër objektiv i nismës është shkurtimi i afateve procedurale për administrimin e pasurive nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, si dhe përmirësimi i mekanizmave që mundësojnë kthimin e tyre në vlerë ekonomike e sociale.
Qefalia bëri të ditur se ndryshimet janë pjesë e një reforme më të gjerë ligjore, e cila synon të përcaktojë rregulla dhe kritere më të qarta për procedurat e sekuestrimit, konfiskimit dhe administrimit të pasurive.
Ai nënvizoi se zbatimi i këtij kuadri synon të forcojë mbrojtjen e interesit publik dhe të komunitetit, duke përfshirë edhe interesat e viktimave të krimit.
Gjatë diskutimit, relatori i projektligjit, Agron Malaj vlerësoi rëndësinë e përmirësimit të të gjithë ciklit të administrimit të pasurive, nga ruajtja dhe menaxhimi deri te shitja dhe përdorimi i vlerës së tyre, me synim që këto pasuri të shërbejnë sa më mirë në interes të publikut.
