Aliolli ngre shqetësimin për dhunën ndaj të rinjve, Braçe apel për dialog

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 tetor, Zhurnal.mk – Ashtu si në komisionet e tjera edhe në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat nisi me debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës lidhur me protestën e të rinjve.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Aliolli, tha se PD do të jetë në mbështetje të të rinjve. “Studentët janë në shesh dhe ne do të jemi në shesh”, tha ajo.

Aliolli u shpreh se “mbledhja nuk mund të ketë një rend dite normale, duke ditur që jashtë kësaj salle ka të rinj që protestojnë për të drejtën e tyre. Nga ana tjetër, ata dhunohen. Konkretisht kemi rastin e djalit nga Elbasani, Erjon Vishkulli, i cili sot po lufton për veten e tij, sepse është në rrezik të humbasë shikimin”.

Sipas saj, ndaj të rinjve, studentëve po ushtrohet dhunë në mënyrë shtazarake.

“Ata po luftojnë për të drejtën e tyre dhe kundër modelit që ka ndërtuar Edi Rama”, tha Aliolli.

Pas fjalës së saj, deputetja Aliolli vendosi të largohej, ndërsa nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti socialist Erion Braçe tha se PS është akoma e hapur për dialog.

“Prej 15 ditësh ka protesta në Tiranë, madje më shumë se 15 ditë. Diferenca është që protestat e këtyre 15 ditëve kanë qenë të dhunshme dhe dhuna ka tejkaluar ligjin dhe rendin publik e kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Unë shpreh keqardhjen e pafundme për çdo të lënduar nga aktet e dhunës, përfshirë atë ndaj efektivëve të policisë, ashtu siç shpreh keqardhjen për çdo akt dhune ndaj qytetarëve në protestë. Diferenca nuk e bën termin student. Diferencën e bëjnë aktet e dhunës”, theksoi Braçe.

Ne, vijoi Braçe, kemi të gjithë vëmendjen e duhur për të dëgjuar kërkesën e studentëve, me përjashtim të atyre që ushtrojnë dhunë dhe nuk lejojnë vendosjen e një dialogu të qartë të qytetarëve në protestë.

“Patjetër që gjithsecili bën punën e tij. Përfaqësuesit e PD-së kanë zgjedhur këtë qëndrim. Ne kemi zgjedhur këtë qëndrimin tjetër”, tha Braçe.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër