Shkup, 27 tetor, Zhurnal.mk – Në kuadër të programit Roadshow, delegacioni i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore i udhëhequr nga kryetari, z. Sami Morina, zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e kompanisë Neptun, ku u diskutua për sfidat që pengojnë investimet dhe zhvillimin e sektorit privat, si dhe për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit ndërmjet kompanive vendore.
Pjesë e delegacionit të OEMVP-së ishin edhe nënkryetarja, znj. Qanije Selimi, nënkryetarët, z. Resul Hani dhe z. Adem Agai, si dhe drejtori ekzekutiv, z. Durim Zeqiri. Ata u pritën nga pronari i kompanisë Neptun, z. Arsim Papraniku, dhe drejtoresha ekzekutive, znj. Suzana Ristova-Velichkovska.
Gjatë takimit u trajtuan problematikat që ndikojnë në klimën e investimeve dhe në zhvillimin e bizneseve, me theks të veçantë te nevoja për tejkalimin e pengesave ekzistuese dhe krijimin e kushteve më të favorshme për sektorin privat. Gjithashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet kompanive vendore si mundësi për forcimin e kapaciteteve të tyre dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.
