Editorial / Nëse Serbia ecë shpejt drejt Brukselit, presioni do të rritet edhe për Maqedoninë e Veriut!

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 28 tetor – Fitorja në zgjedhjet e udhëhequra nga studentët në Serbi ka rihapur derën e Bashkimit Evropian, por Brukseli thotë se anëtarësimi tani varet nga reforma e sundimit të ligjit, sanksionet ndaj Rusisë dhe Kosova. Një sprint reformash 12-mujor, në rastin më të mirë, mund të lejojë që kapitulli i parë i bazave të mbyllet përkohësisht deri në mesin e vitit 2028. Anëtarësimi mund të arrihet më pas rreth vitit 2030. Nëse kjo ndodhë, e gjasat janë të mëdha, atëherë rrethanat politike do të jenë një presion direkt për Shkupin. Vetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe ndërkombëtarët do të kërkojnë përshpejtim të procedurave që të gjitha vendet kryesore të Ballkanit Perëndimore të bëhen pjesë e BE-së deri në vitin 2030. Kryeministri Mickoski duhet shpejt ta kuptojë këtë politikë të funksionimit, në të kundërtën vendi ynë do të mbetet “njolla e zezë” e Ballkanit, shkruan “Zhurnal.mk”.

Brukseli uroi fitoren e studentëve dhe ia rikujtoi reformat!
Lista e Studentëve, një lëvizje e lindur nga protestat në rrugë, fitoi zgjedhjet parlamentare të së dielës në Serbi, ndërsa udhëheqësi prej kohësh i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka pranuar humbjen. Rezultati mund të ringjallë përpjekjen e bllokuar të Serbisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Brukseli veproi me shpejtësi, pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përgëzoi Listën e Studentëve duke iu rikujtuar atyre se BE-ja është e gatshme të mbështesë reformat në sundimin e ligjit, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe institucionet e forta demokratike, si dhe të punojë së bashku për të çuar përpara të ardhmen e Serbisë në Bashkimin Evropian.


Kjo do të thotë se fjalët e ngrohta vijnë me kushte. Reforma e sundimit të ligjit do të jetë testi i parë. Qeveria duhet të tregojë gjykata të pavarura, hetime të besueshme për korrupsionin, zgjedhje të ndershme dhe më pak kontroll politik mbi median publike.
Serbia ka qenë kandidate që nga viti 2012 dhe filloi negociatat në vitin 2014. Procesi ka ngecur kryesisht pasi arsyet përfshijnë shqetësimet për sundimin e ligjit, lirinë e medias, korrupsionin, standardet zgjedhore, përputhjen e kufizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë dhe procesin e pazgjidhur të normalizimit të çështjes së Kosovës.
Numrat tregojnë ndryshimin e procesit të anëtarësimit. Nga 35 kapituj negociues, 22 janë të hapur dhe vetëm dy janë mbyllur përkohësisht. Në korrik, tetë shtete anëtare të udhëhequra nga Holanda vunë veton ndaj hapjes së grupit të tretë të kapitujve. Ata përmendën shqetësimet për sundimin e ligjit dhe refuzimin e Beogradit për t’u pajtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Zgjedhjet heqin një pengesë politike, por jo kriteret teknike.

A do ndryshojë politika e jashtme e Serbisë!
Lista e Studentëve është një lëvizje e gjerë. Platforma e saj është përqendruar në reformën demokratike të brendshme, jo në një shtrirje gjeopolitike të përcaktuar plotësisht. Fitorja nuk do të thotë automatikisht një ndarje me Rusinë dhe Kinën.
Sanksionet janë çështja më e mprehtë. Serbia është i vetmi vend negociues që nuk është në përputhje me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Berlini, Parisi dhe Varshava e kanë bërë përputhjen një parakusht de facto për të ecur përpara me kapitujt e rinj negociues. Kosova është një tjetër pengesë. Qëndrimet e ashpra, lidhjet e vazhdueshme me Moskën dhe propozimet për një referendum anëtarësimi mund të vonojnë bisedimet.
Kina e shton kompleksitetin në Serbi, pasi ka një uzinë të madhe çeliku kineze dhe pret të fillojë edhe Huaëei 5G. BE-ja ndoshta do të kërkonte rregulla për shqyrtimin e investimeve dhe përmirësime mjedisore. Një ndarje e plotë duket e pamundur, ndërkaq transparenca më e madhe dhe alternativat e bashkëfinancimit nga BE-ja janë rruga më e besueshme.
Shtetet anëtare të BE-së janë të ndara për sa i përket ritmit. Gjermania është pro zgjerimit, por dëshiron reforma dhe përparim të pakthyeshëm në çështjen e Kosovës. Holanda dëshiron veprime në gjyqësor dhe media para se të jepet drita jeshile. Franca favorizon një model me faza dhe dëshiron një afrim me Rusinë.
Hungaria kërkon anëtarësim të shpejtë. Polonia, Kroacia dhe Sllovenia favorizojnë përshpejtimin për të forcuar peshën e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Austria dhe Italia, të lidhura me Serbinë përmes bankave, energjisë dhe prodhimit, duan përparim të shpejtë. Ato gjithashtu kërkojnë dënime të besueshme kundër korrupsionit, shkruan “Zhurnal.mk”.
Presioni mbi Maqedoninë e Veriut!


Një sprint reformash 12-mujor, në rastin më të mirë, mund të lejojë që kapitulli i parë i negociatave për Serbinë të mbyllet përkohësisht deri në mesin e vitit 2028. Anëtarësimi mund të arrihet më pas rreth vitit 2030, e gjitha kjo duke supozuar se qëndrimi ndaj Rusisë dhe Kosovës nuk do të bëhen pika vetoje.
Në këtë ndryshim gjeopolitik, Maqedonia e Veriut thuajse mbetet e vetme. Aletatët kryesor të qeverisë së VMRO DPMNE-së ishin Viktor Orban në Hungari dhe Aleksandër Vuçiç në Serbi. Ky i pari i dha kredi prej 1 miliardë euro qeverisë së Maqedonisë së Veriut sapo Mickoski formoi qeverinë. Dy shtetet janë thellë të kyçura në tregun e Maqedonisë së Veriut, qoftë përmes bankave, mediave dhe investimeve në rrjetin e telekomunikacionit. Tani kur dy miqtë më të mirë të Mickoskit nuk janë më aktiv në politikë, komoditeti për populizëm nuk është i lejuar.
Maqedonia e Veriut sfidë të saj më të madhe e ka mbylljen e çështjes së bullgarëve, duke kërkuar që ata të futen në Kushtetutën e vendit. Deri tani, Shkupi ka refuzuar të bashkëpunojë, por presioni i parë erdhi gjatë vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Shkup. Ajo qartë tha se duhet të bisedoni me Sofjen dhe të nesërmen kryeministri Mickoski e dërgoi kryediplomatin Mucunski në Sofje për takim. Takimi nuk kishte ndonjë efekt të shpejtë, por ishte një sinjal se urdhërat e Brukselit duhet të ndiqen.


Prandaj, nëse Serbia përshpejton hapat drejt BE-së, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet e izoluar në fund të listës së Ballkanit Perëndimor, së bashku me Bosnjën dhe Kosovën. Kjo do të rriste presionin e brendshëm nga qytetarët dhe opozita ndaj qeverisë në Shkup për të gjetur një zgjidhje të shpejtë me Bullgarinë.
Nëse Shkupi zyrtar nuk fillon me zhbllokimin e situatës, atëherë ndryshimi në Serbi mund të shërbejë si frymëzim në Shkup, sidomos duke i pasur parasysh lidhjet e ngushta midis këtyre dy vendeve. Fitorja tregon se organizimi qytetar dhe lëvizjet studentore jashtë partive tradicionale mund të sjellin ndryshime të thella të sistemit. Ky model mund të nxisë lëvizje apo protesta të ngjashme të të rinjve në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë të zhgënjyer nga pritja e gjatë në dyert e BE-së dhe korrupsioni i lartë.


Këtu do të vijë edhe presioni nga partitë shqiptare, të cilat do të kërkojnë llogari me arsyetimin se nuk mund të mbetemi pengë përgjithmonë e “kacafytjeve” të maqedonasve me popujt fqinjë.
Me një qeveri pro-evropiane dhe të reformuar në Beograd, vëmendja dhe kapitali politik i Brukselit do të orientohen atje, ndërsa kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut mund të humbasë rolin e saj si “vendi që bëri sakrificën e emrit” nëse nuk tregon lëvizje konkrete për të zhbllokuar procesin e saj.
Andaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto elemente, presioni ndaj Shkupit zyrtar është i paevitueshëm. Nëse s’ka vesh për të dëgjuar këto “këmbana”, dikur do të jetë vonë, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura