Shkup, 28 tetor, Zhurnal.mk – Tetë nxënës nga shkollat fillore të Komunës Qendër do të marrin mbështetje financiare nga komuna gjatë vitit shkollor 2026/2027, pasi kryetari i komunës, Goran Gerasimovski, ua ndau bursat vjetore të dedikuara për fëmijët nga familjet në rrezik social.
Secili prej nxënësve do të marrë nga 4.500 denarë në muaj, në periudhën nga tetori 2026 deri në maj 2027, përkatësisht gjatë tetë muajve.
Gjatë ndarjes së bursave, Gerasimovski bisedoi me nxënësit për aktivitetet e tyre shkollore, lëndët e preferuara dhe interesimet e tyre, duke u përcjellë mesazhin se rrethanat në të cilat rriten nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin dhe arsimimin e tyre.
“Çdo fëmijë meriton mundësinë të përparojë dhe të realizojë potencialin e tij. Obligimi ynë është t’u ofrojmë mbështetje dhe t’u tregojmë se nuk janë vetëm”, theksoi Gerasimovski, duke shtuar se bursat duhet t’i ndihmojnë në mbulimin e nevojave shkollore dhe t’i inkurajojnë në vazhdimin e arsimit.
Nga Komuna Qendër informojnë se kjo masë zbatohet çdo vit, ku ndahet nga një bursë për një nxënës nga secila prej tetë shkollave fillore komunale.
Për realizimin e programit për vitin aktual shkollor, nga buxheti komunal janë ndarë gjithsej 330.000 denarë.
