Prishtinë, 28 tetor, Zhurnal.mk – Barazi Gjinore (ABGJ), Edi Gusia, tha se agjencia nuk ka mandat për t’i trajtuar drejtpërdrejt rastet e dhunës, por ka rol në hartimin e legjislacionit, instrumenteve përkatëse dhe në vetëdijesimin e shoqërisë.
“E thashë në fillim, vetëm për sqarim, Agjencia nuk ka mandat t’i trajtojë rastet e dhunës, por kjo nuk është që nuk na jep mandat me punu në hartimin e legjislacionit, të instrumenteve, të vetëdijesimit. Për këto i pata në prezantimin tim çka kemi punuar në vetëdijesim dhe çka kemi punuar në ngritje të kapaciteteve”, tha Gusia.
Ajo foli edhe për rëndësinë e edukimit të hershëm në parandalimin e stereotipeve gjinore, duke përmendur manualin e hartuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në vitin 2019 për Ministrinë e Arsimit, i cili synon parandalimin e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore.
“Ne, që prej vitit 2019, kemi një manual për Ministrinë e Arsimit, për parandalimin e stereotipeve gjinore në tekstet shkollore, i cili është hartuar për recensentët e teksteve shkollore që pikërisht i fillojnë këto tema të diskutimit në tekste shkollore. Manuali diku gjen përdorim më të duhur, diku pak më pak. Shpeshherë edhe recensentët veprojnë edhe me kokën e tyre. Nuk po arsyetoj, por është e vërtetë që Ministria e Arsimit duhet me qenë më strikte në kuptimin e monitorimit se si këta recensentë e përdorin këtë manual, pikërisht për t’i brumos fëmijët me vlerat e barazisë gjinore”, deklaroi ajo.
Duke folur për rastin e Arlinda Zekajt, Gusia theksoi se Agjencia nuk ka qasje në dokumentet zyrtare dhe se informacionet i ka siguruar nga raportimet në media. Megjithatë, ajo i cilësoi shqetësuese rrethanat e raportuara, veçanërisht mënyrën e vlerësimit të rrezikut dhe vendimet që lidhen me sigurinë e viktimës.
“Tash, informacionet për rastin ne nuk i kemi, sepse nuk kemi qasje në dokumentet zyrtare. I gjithë informacioni i agjencisë është në bazë të asaj çka kemi parë në media. Për neve si agjenci është shumë shqetësuese ajo çka kemi informacion. Për atë çka kemi informacion prej mediave, është shqetësues fakti që fëmija i mitur fillimisht i është dhënë babait të dhunës dhe pastaj, ndërkohë, QPS-ja ka ndërruar vendim dhe ia ka dhënë nënës fëmijën”, tha Gusia.
Ajo ngriti dyshime se vlerësimi i rrezikut nuk ishte bërë në mënyrë të mjaftueshme, bazuar në informacionet e publikuara, duke përmendur praninë në shtëpi të kunatit të viktimës, për të cilin tha se kishte 11 vepra penale.
“Për neve, vlerësimi i rrezikut, që është borxh i situatës, nuk ka qenë aq sa mjaftueshëm, së paku prej formularit që ekziston në procedurat standarde të veprimit. Ne mendojmë që atë ditë nuk është bërë si duhet vlerësimi i rrezikut në momentin kur gruaja është kthyer në shtëpi, në të cilën ka qenë kunati i saj me 11 vepra penale, për më tepër që ai nuk ka jetuar në atë bashkësi familjare. Do të thotë, ai është sjellë pikërisht në shtëpi për t’i bërë presion gruas që të mos qëndrojë në shtëpinë e saj”, deklaroi Gusia.
Sipas saj, në një rast të tillë duhej të shqyrtohej edhe përfshirja e anëtarëve të tjerë të familjes në urdhrin mbrojtës.
“Pa qasje në dokumente zyrtare, çka kemi parë në media, ky është dështimi i parë, sepse kur bëhet vlerësimi i rrezikut, kur të shikohet urdhri mbrojtës apo kur policia i kërkon prokurorisë që ta adresojë çështjen e urdhrit të mbrojtjes te gjykatat, bëhet vlerësimi i rrezikut, nëse gruaja, viktima, rrezikohet edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Do të thotë, në këtë rast është dashur me pasë një urdhër mbrojtës edhe ndaj kunatit, që mos me guxuar as kunati me qëndruar në atë shtëpi, po besa edhe vjehrra”, tha ajo.
Gusia theksoi se këto vlerësime i ka bërë duke u bazuar në informacionet e publikuara në media dhe pa pasur qasje në dokumentacionin zyrtar të rastit.
Anëtarja e Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, kritikoi funksionimin e Qendrave për Punë Sociale, duke ngritur shqetësime për sigurinë në këto institucione dhe mungesën e përmirësimeve në trajtimin e rasteve të dhunës ndër vite.
“Pjesa tjetër e QPS-së, vij prej një qyteti që ka vdekur në QPS, është vrarë. Siguria në QPS është minimale. Domethënë, në QPS hyn kushdo që i teket, shkurt kështu. Edhe pastaj profilizimi i dhunuesve është në mangësi të madhe në QPS”, tha Ymeri.Ajo theksoi se përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’i atribuohet vetëm një qeverie, duke argumentuar se, sipas saj, nuk ka pasur përmirësime të mjaftueshme në numrin e vrasjeve gjatë viteve.
“Tash, që të mos mendosh që e kam bërë çështje politike partiake, sepse numrat janë të njëjtë në të gjitha qeveritë e mundshme. Rrafsh 26 vjet, asnjë qeveri, asnjë! Nuk ka pasur përmirësim në numër të vrasjeve. Çka unë duhet me thënë, me ik rasti për mos me analizu na?”, deklaroi ajo.
Ymeri ngriti gjithashtu çështjen e kornizës ligjore dhe zbatimit të saj, duke vënë në pikëpyetje faktin se gratë që përjetojnë dhunë shpesh detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, edhe kur janë bashkëpronare të tyre.
“Si është e mundur që ne kemi një kornizë legjislative edhe zbatuese, ku ajo që dhunohet, duhet me dalë? Duhet me dalë me gjithë fëmijë. Po flas për shtëpinë që e ka edhe vetë bashkëpronare, e para, duhet me dalë, edhe e dyta, mbas disa muajve nuk ka kush këtë. Këtë pyetje ia kanë bërë gjithë qeverisë, dje e ka bërë edhe gazetarja, ia ka bërë kryeministrit”, tha Ymeri.
Ajo shtoi se institucionet duhet të analizojnë arsyet pse, pavarësisht kornizës ligjore, gratë mbeten të pambështetura në situata të tilla.
“Domethënë, si është e mundur që për 27 vjet, ne e kemi lënë gruan në dorë të komunës, në dorë të QPS-së, asaj, kësaj, edhe ka mbetur ku ka mbetur. Tash kjo është realiteti”, u shpreh Ymeri.
Duke iu përgjigjur çështjes së largimit të viktimave nga banesat e tyre, Gusia tha se legjislacioni parasheh që personi që ushtron dhunë të largohet nga shtëpia, e jo viktima.
“Nuk e parasheh që gruaja me lëvizë nga shtëpia. Ligji e parasheh që dhunuesi duhet me dalë nga shtëpia. Po, po vjen keq tash se prapë po dalim përtej kompetencës teme, nuk jam person përgjegjës me monitoru policinë, po ligji thotë dhunuesi del nga shtëpia, jo e dhunuara”, deklaroi Gusia.
Ajo kritikoi praktikat që, sipas saj, bëjnë që viktimat të dërgohen në strehimore, ndërsa personat që ushtrojnë dhunë të mbeten në shtëpi.
“Mirëpo, zyrtarët tonë dinë me bë kështu shpesh kot, edhe shumë malret i bëjnë, me e nxjerr viktimën, me çu me lanë në strehimore, dhunuesin me lanë në shtëpi. Unë jo rastësisht e përmenda shembullin e katit të nusërisë. Do të thotë, kur gjykata ka vendosur me të drejtë që ajo nuk lëviz nga shtëpia, ligji, domethënë, është dhunuesi del, dhunuesi del nga shtëpia”, tha ajo.
Gusia duke iu përgjigjur Ymerit, përmendi edhe mundësinë e mbështetjes financiare përmes bonusit të banimit, duke thënë se komunat kanë përgjegjësi të ndihmojnë gratë që nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë në strehimore.
“Në anën tjetër, ligji për banimin social e mundëson bonus banimin, edhe nuk i kam të dhënat, mirëpo komunat në Kosovë kanë të drejtë, nëpërmjet bonus banimit, me ia paguar qiranë një gruaje viktimë të dhunës në familje, e cila, nëse i ka kaluar gjashtë muajt e parë në strehimore, nuk ka pasur mbas gjashtë muajve ku me shkuar, i është vazhduar edhe gjashtë muaj, sepse një vit ka të drejtë me ndenjur në strehimore. Komuna ka përgjegjësi bonus banimin”, theksoi Gusia.
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore kërkoi që vëmendje e veçantë t’i kushtohet gjendjes në Qendrat për Punë Sociale, të cilat, sipas saj, përballen me mungesë të stafit, kapacitete të kufizuara profesionale dhe ngarkesë të madhe në punë.
“Unë vetëm një rekomandim, vetëm një rekomandim te Qendrat për Punë Sociale. Është çështje emergjente. Qendrat për Punë Sociale duhen me i trajtuar 24 kategori të ndryshme. Janë me staf të limituar, me staf jo profesional, në kuptimin që nuk e kanë drejtimin e duhur, sepse shumë vonë është hapur në Universitetin e Prishtinës departamenti përkatës”, tha Gusia.
Ajo sugjeroi që anëtarët e Komisionit t’i vizitojnë këto qendra për të parë nga afër kushtet e punës dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit socialë.
“Unë do të kisha sugjeruar t’i vizitoni Qendrat për Punë Sociale. Unë kam pasur rast në Qendrën për Punë Sociale të Komunës së Prishtinës, ku kemi punëtore sociale, të cilat kanë urdhër mbrojtjeje, do të thotë me u mbrojtë prej dhunuesve, të cilët vijnë me i vizituar fëmijët në Qendrat për Punë Sociale”, u shpreh ajo.
Sipas Gusias, punonjësit socialë përballen edhe me rrezik në vendin e punës dhe me rraskapitje profesionale, çka ndikon në aftësinë e tyre për t’i përballuar rastet e ndjeshme.
“Dëshironi që nëse i takoni, keni me pa që në të vërtetë një pjesë e madhe e këtyre kanë edhe djegie profesionale, ku nuk janë në gjendje me përballuar as vizitën me të cilën ballafaqohen vetë, se për dy muaj kjo është e përsëritur vizita. Çështja e Qendrave për Punë Sociale është emergjencë kombëtare. Kjo është një rekomandim nëse në të vërtetë doni një rekomandim nga Agjencia”, theksoi Gusia.
